Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku inspektoi të martën punimet në Unazën Verilindore të Tiranës, në segmentin Sheshi “Shqiponja” – Bulevardi i Ri, loti 2, ku tashmë ka nisur puna për shtresat asfaltike.
“Kontrata parashikon përfundimin e punimeve në prill të 2024. Megjithatë ne po ecim shumë shpejt, ndërsa duhet theksuar se të gjitha lotet e tjera janë brenda afateve kontraktuale. Pavarësisht se kjo është një rrugë e kategorisë A me një gjerësi 28 metra, nuk është trajtuar si një autostradë, por është trajtuar si një rrugë urbane me gjelbërim, ndriçim dhe aksese për kalimtarët. Do të kemi dhe një mbikalim. Të gjitha këto janë elementë urbanë për të lehtësuar të gjitha zonat e banuara, sepse me të vërtetë këto janë rrugë të shpejtësisë së lartë që do të krijojnë akesin dhe lidhjen me autostradat që vijnë nga të gjitha drejtimet për tu futur në kryeqytet, por nga ana tjetër janë rrugë që janë brenda zonave të banuara dhe s’ka sesi të jenë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim, pa ndriçim”, deklaroi Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku theksoi se rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm.
“Me ndërtimin e Unazës së Madhe ky lumë ka dalë në pah dhe mund të kthehet në një atraksion, pra me një shëtitore që do ta ndjekë me një rrugë biçikletash”, tha ajo.
Zv/kryeministrja më tej u shpreh se 2024 do jetë një vit shumë i rëndësishëm, pasi parashikohet dorëzimi i tunelit të Llogorasë, e gjithë pjesa e Unazës Verilindore të Tiranës duke plotësuar kështu Unazën e Madhe të Tiranës, përfundimi i tunelit të Murrizit dhe shumë veprave të tjera.
Ndërkohë zv/kryeministrja solli në vëmendje edhe disa kantiere të tjera që do të çelen si Porti i ri i Durrësit, i vendosur në Porto Romano apo dhe aeroporti i jugut, pasi siç u shpreh ajo, kantieri ka dalë në sipërfaqe, duket pista, terminali dhe gjithçka tjetër.
Ndërsa Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Evis Berberi bëri të ditur se te Loti 2 i Unazës së Tiranës, që shtrihet e gjitha në territorin e bashkisë së Kamzës kanë përfunduar të gjitha veprat e artit dhe është hapur trupi i rrugës.
“Jemi duke punuar me rifiniturat, bëhet hidroizolimi i urës dhe ndërkohë kemi vijuar me pjesën e trotuareve, me pjesën e gjelbërimit, që është shumë i rëndësishëm dhe në krahun tjetër jemi në fillimet e asfaltimit. Jemi duke punuar me disa makineri në një trup rruge dhe mendojmë që për një periudhë shumë të shkurtër kohore ne do ta kemi të asfaltuar të gjithë aksin. Është vepra më e gjatë, pasi është mbi 2 kilometra, në krahasim me segmentet e tjera të cilat janë të shkurtra”, deklaroi ai.
/a.r