Shkalla e punësimit në vendin tonë përgjatë tremujorit të tretë të vitit ka shënuar rritje me 1.6% duke arritur nivelin 67.7%. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave flasin për një pjesëmarrje prej 76.1% në forcat e punës.
Hendeku mes punësimit të burrave dhe grave është 12.1 pikë për qindje, për shkak se gratë kanë një përfshirje në forcat e punës me 70,2 %, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2 %.
E përllogaritur sipas sektorëve, punësimi ulet me 2,5 % në sektorin e industrisë e shërbimeve, ndërsa rritet me 7,3 në sektorin e bujqësisë. Grupmosha 30-64 vjeç, përbën edhe shkallën më të lartë të punësimit në masën 78,2 %.
Nga ana tjetër, përgjatë tremujorit të tretë të vitit paga mesatare mujore bruto për 1 të punësuar u rrit me 16 % krahasuar me vitin e kaluar duke u përllogaritur në vlerën e 71.486 Lekë.
Sipas INSTAT, profesionet më të paguara janë ato të administratës shtetërore si arsimi, shëndetësia, ligjvënësit, mbrojtja, menaxherët etj, ndërkohë që sektori privat i fokusuar në aktivitetet financiare.
Sigurimi, komunikacioni, bujqësia e tregtia vijojnë të mbajnë paga nën mesataren. Në këtë mënyrë, paga në sektorin privat është mesatarisht 22% më e ulët se ajo në shtet.
/a.r