Çështja e dekretit të presidentit Bajram Begaj që riktheu për shqyrtim ligjin për shtetësinë u diskutua në Komisionin e Sigurisë.
Këshilltari i presidencës Ilir Rusmajli sqaroi arsyet e kthimit të ligjit, duke risjellë në vëmendje se Kushtetuta kërkon votimin e ligjeve në 3 komponentë: Votimi në parim, nen për nen dhe në tërësi.
“Ligji për shtetësinë kërkon miratim me shumicë të cilësuar prej 3/5 e votave. Nga dokumentacioni kemi konstatuar se në grupin e amendamenteve që janë bërë në seancë, nuk është siguruar dot shumica e cilësuar”, argumentoi Rusmajli.
Sipas tij, Presidenti ka të drejtë të vendosë veton ndaj ligjeve, për defekte që i përkasin sferës së të drejtës kushtetuese.
“Një pjesë e dispozitave krijojnë hapësire për disbalancim të praktikës së dhënies së shtetësive. Tërheqim vëmendjen që të merrni në konsideratë respektimin e parimeve bazë për dhënien e shtetësive”, shtoi këshilltari i Presidentit.
Komisioni i sigurisë vendosi që një vendim se si do të procedohet në vijim do të merren në mbledhjen e ardhshme.
/f.s