Emigrimi i paligjshëm i emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe vijon të jetë një problem. Shumë të rinj shqiptarë rrezikojnë jetën për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar ku më pas përfundojnë në rrugë të gabuara duke u bërë pjesë e bandave që merren me trafik droge.
Qeveria e Rishi Sunak, është zotuar të ndalojë fenomenin e kalimit të paligjshëm nëpërmjet gomoneve apo kamionëve por duket sikur deri më tani, nuk e ka arritur diçka të tillë. Kështu shkruan media britanike Daily Mail në një artikull të publikuar së fundmi ku vë theksin tek ‘ofertat’ e bandave shqiptare të trafikut të qenieve njerëzore, të cilët për sezonin e festave të fundvitit, kanë ofruar ulje të kalimit me gomone drejt Britanisë së Madhe.
Ata e konsiderojnë këtë si një tallje për përpjekjet e ministrave britanikë. Sipas medias britanike, tashmë kalimi me kamionë po ofrohet me 5 mijë paund, në këmbim të 8 mijë që paguhen zakonisht.
Bandat po përqendrojnë gjithnjë e më shumë reklamat e tyre në ofertat për të çuar emigrantët në Britani me kamionë, ndërsa një reklamë ofron një marrëveshje për t’i kontrabanduar ata me avion për 14,000 paund për person.
Këtë javë Rishi Sunak përballet me pengesën e parë parlamentare për projekt-ligjin e tij të urgjencës për të shpëtuar skemën e Ruandës, e cila iu dha një goditje javën e kaluar pasi ministri përgjegjës për të, Robert Jenrick, dha dorëheqjen, duke thënë se nuk do të funksionojë.
/f.s