Një sulm me raketë ndaj ambasadës amerikane në Bagdad të premten në mëngjes shkaktoi dëme të vogla materiale, por nuk pati të lënduar, njoftuan zyrtarët amerikanë dhe irakianë.
Ky është sulmi i parë i konfirmuar ndaj ambasadës, që gjendet brenda Zonës së Gjelbër të fortifikuar në kryeqytetin irakian, që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Brenda Zonës së Gjelbër, përgjatë bregut perëndimor të lumit Tigër, ndodhen ndërtesat e qeverisë irakiane dhe ambasadat.
Militantët irakianë të mbështetur nga Irani kanë marrë përgjegjësinë për dhjetëra sulme ndaj bazave të trupave amerikane në Irak dhe Siri, që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit para dy muajsh. Ushtria amerikane thotë se 78 sulme janë kryer kundër objekteve amerikane gjatë javëve të kaluara, prej të cilave 37 në Irak dhe 41 në Siri.
Një zyrtar irakian i sigurisë tha se 14 raketa të tipit “Katyusha” janë hedhur të premten, disa prej të cilave ranë pranë portave të ambasadës amerikane ndërsa të tjerat ranë në lum. Zyrtari tha se sulmi me raketa shkaktoi dëme materiale, por jo viktima.
Një zyrtar ushtarak amerikan tha se sulmi, gjatë të cilit u përdorën shumë raketa, u krye ndaj forcave amerikane dhe të koalicionit që gjenden në afërsi të kompleksit të ambasadës dhe bazës “Union III”, ku gjenden zyrat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të. Zyrtari tha se nuk kishte viktima e as dëme infrastrukturore.
Një zëdhënës i ambasadës tha se ambasada amerikane u sulmua me dy valë raketash në sulme të njëpasnjëshme rreth orës 4:15 të mëngjesit.
“Vlerësimet po vazhdojnë, por nuk ka viktima të raportuara në hapësirën e ambasadës,” tha zyrtari, duke shtuar se asnjë grup nuk ka marr përgjegjësinë për hedhjen e raketave të premten në mëngjes, por shenjat e para tregojnë se bëhet fjalë për militantët e afërt me Iranin.
“I bëjmë sërish thirrje qeverisë së Irakut, siç kemi bërë në shumë raste, që të bëjë çfarë të jetë e mundur që të mbrojë personelin diplomatik dhe të partnerëve të koalicionit dhe ndërtesave të tyre,” tha zyrtari. “E përsërisim, se rezervojmë të drejtën e vetëmbrojtjes për personelin tonë nëpër botë.”
Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani tha në një deklaratë se “vënia në shënjestër e misioneve diplomatike është diçka që nuk mund të justifikohet.” Ai e quajti sulmin “ofendim për Irakun, stabilitetin dhe sigurinë” dhe premtoi “gjetjen e autorëve të sulmit… për t’i nxjerrë para drejtësisë.”
Kryeministri Sudani erdhi në pushtet me përkrahjen e partive të mbështetura nga Irani. Por ai ka vazhduar të mbajnë marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe ka mbështetur praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Irak.
Ndonëse asnjë grup nuk ka marr përgjegjësinë për sulmin ndaj ambasadës, grupi “Rezistenca Islamike në Irak,” që shërben si mburojë e militantëve të mbështetur nga Irani, lëshoi një deklaratë duke marrë përgjegjësi për sulme tjera të premten në bazën ajrore al-Asad në Irakun perëndimor, që shfrytëzohet nga forcat amerikane, dhe ndaj një baze tjetër në fushën e naftës në Sirinë lindore.
Rreth 2,500 trupa amerikane ndodhen në Irak dhe rreth 900 në Sirinë lindore, me mision kundër grupit “Shteti Islamik”. Në dyja vendet, Irani ka militantë me lidhje me Teheranin.
Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj forcave amerikane, SHBA-të janë hakmarrë me sulme ajrore në tri raste në Siri që nga 17 tetori, që kishin për objektiv depot e armëve dhe ndërtesat e tjera të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe militantët. Shtetet e Bashkuara kanë goditur disa vende në Irak në fund të muajit të kaluar pasi një grup militant për herë të parë hodhi raketa me rreze të shkurtër veprimi ndaj forcave amerikane në bazën ajrore al Asad.
/a.d