Blendi Gonxhe, ish-student i dhjetorit të vitit ’90 komentoi në një intervistë për Euronews Albania rëndësinë e asaj dite dhe rrjedhën e ngjarjeve.
Ai u ndal te figura e kreut të qeverisë Edi Rama duke thënë se ky i fundit ishte një frymëzim i jashtëzakonshëm në Akademinë e Arteve, duke theksuar se ishte i revoltuar me gjendjen e asokohe.
Gonxhe nënvizoi se më 8 dhjetor Rama u kthye nga Greqia, pasi e kishin njoftuar për atë se çfarë po ndodhte në “Qytet Studenti”.
Në momentin që Rama kishte parë Sali Berishën në karrigen drejtuese ishte larguar. Mes tjerash Gonxhe nënvizoi se ishte një nga protagonistët në protestë, por pas 15 ditësh u largua nga mbështetja për Berishën.
“Rama ishte një frymëzim i jashtëzakonshëm në Akademinë e Arteve, ishte një profesor i mirë, por jo vetëm aq, ishte dhe një shok dhe një person që ishte i revoltuar me gjendjen që ishte asokohe.
Rama vinte nga një familje që e dinim siç ishte familja e Kristaq Ramës që në njëfarë mënyre edhe sot është kollaj për ta fajësuar Ramën për familjen nga vjen. Për atë që kemi parë, Rama ka qenë një ndër më të lexuarit dhe të edukuarit, por ka qenë dhe një nga më guximtarët. Jo më kot këta personazhe ishin shumë kurajozë. Fati i madh ishte se këta njerëz këtë njohuri dhe këtë privilegj nuk e përdorën për të parë punët e veta, por e vunë në dispozicion të shoqërisë.
Ka ardhur në kinoteatër dhe që natën e parë që erdhi u shokua që në zyrën e tij ku po themelonin dhe strukturonin PD, pa Sali Berishën në karrigen e drejtuesit. Unë isha pjesë e kësaj tryeze, pasi kam bërë gjithmonë përpjekje që ne të ishim pjesë e atij fillimi. Pas 15 ditësh dhe unë kam dhënë dorëheqjen. Rama doli që atë natë dhe nuk u kthye më”-tha ai.
Mes tjerash Gonxhe nënvizoi se: “Shqipëria do ishte shumë e mirë nëse do të ishte shumë e mirë nëse do kishim kujdes në orët e para, nëse do të dëgjoheshin studentët që duhet të kishim standard tjetër për krijimin e strukturave të para për krijimin e opozitës së re”./m.j