Nga Zhani Ciko
Një datë e një ditëlindjeje ndër më të rëndësishmet e historisë së muzikës shqiptare, përkujtimi i një “Nismëtari”, i dyti në radhën e atyre pak personaliteteve që e kanë gdhendur emrin në këtë kategori me artin vetiak dhe kanë vijuar me këmbëngulje e kryeneçësi, madje e kanë përhapur atë si farat e gjembaçit që shkunden e mbijnë mbas çdo puhize që i fryn.
Janë 120-vjeçarë më të herëshmit dhe me 80 a më shumë nga shpërfaqja e shpirtit të tyre artistik, krejt të veçantë në prirje, karakter, aftësi dhe të vetëndjerë.
I tillë ishte virtuozi i violinës, Ludovik Naraçi, le n’Shkodër më 9 tetuer të motit t’hershën 1903. Violinist i shkolluar në shkollat madhore të Evropës qendrore, shfaqet i përkorë në paraqitje më 3 dhjetor 1926, në KinoTeatrin “Nacional” të Tiranës, jo për të realizuar një akt artistik të zakonshëm që e kishte kryer sa e sa herë gjatë viteve të shkollimit dhe në ato qendra të rëndësishme muzikore ku ndodhej, po për të “shpërthyer” në jetën e përgjumur artistike kryeqytetase me “Violin Koncert Artistik”-un e tij, i pari që realizoi me nismën e tij.
A pati synim Tiranën apo u ndal në Tiranë për transportimin pa rrezik çakordimi të pianos shoqëruese? Dikush e thotë me që nuk iu afrua vendlindjes se kjo ishte arsyeja. Rëndësi ka “3 dhjetuer 1923”, tash e 97 vjet t’shkueme!
Në qytetet tona më të zhvilluara të kohës pas 1912, sido që shkuan punët, pati zhvillime pozitive jashtë imagjinatës. Në Shkodrën e tij me bandat muzikore, mësimin e disa instrumenteve më të njohur, koralet kishtare dhe grupet e ahengut popullor ku dhe ai ishte mëkuar që në vogli, “tuj prek violinës dhe tërhjek thuprën” siç e quajti deri në fund harkun e veglës.
Në Korçë që më 1920, Banda”Vatra” dhe Shoqëria e Arteve të bukura, filluan Koncertet më 12 dhjetor në “bashtën e Arrave”,duke përfshirë në program dhe Strofat e Toreadorit nga “Carmen” me solist baritonin Mihal Ciko, djalosh 18 vjeçar, madje dhe në shtëpinë e Drejtuesit dhe kompazitorit Thoma Nassi ku në shoqërimin pianistik të zonjës Olimbia Nassi realizoheshin të parat mbrëmje muzikore me muzikë dhome.
Vetëm pak më vonë, nismëtari i pianizmit shqiptar prof.Tonin Guraziu po në Shkodër, jo vetëm krahas repertorit ndërkombëtar të instrumentit, shtoi dhe krijime të tija autentike, madje dhe atë që na habiti para një viti kur ja fshimë pluhurosjen dhe nxorëm në dritë, baletin “Rozafa” që historikisht avancon disa vite më parë lindjen e baletit shqiptar.
Nismëtarët, me këto tre emra tepër dinjitozë dhe me siguri pasuesit, përligjin kategorinë historike që përfaqësojnë. Kur ata nisën të parët rrugëtimin artistik ndjenë vlerën e artit të tyre. Populli i quajti menjëherë Profesorë dhe nuk ja u ndau vlerësimet në të mirë dhe në hallet që pasuan, sipas rastit.
Kjo kategori nuk u ngjiz si e tillë se vlerësimet joartistike që pasuan, pavarësisht se edhe të merituara,e shpërfillën objektivitetin historik dhe dikë e nxorën nga rradha, dikë e mjegulluan dhe më keq, dikë e eliminuan.
Vendosja sipas vërtetësisë historike është detyrë e mbetur e historiografisë muzikore, siç mbetet dhe përshkrimi e gjykimi jashtë shablloneve guacka. Ajo që është fituar tashmë në rilevimin e periudha e të herëshme të fenomeneve dhe identikiteve të protagonistëve pa retushime e zhvendosje, pa lëkundje dhe partipri të jetë në mendjen e atyre që mbajnë skeptrin e vendimmarrjes. Historia e muzikës shqiptare ka vend për të shtuar protagonistë dhe jo për t’i reduktuar ata. Dhe shembujt e mirë nuk mungojnë, sado pak qofshin!
Ludovik Naraçi, djali i tretë i Ndrek Vogli Naraçi, lindi në Shkodër në një familje të vlerësuar, ku baba i tij sa vinte dhe lartësohej në komunitetin qytetar të kohës deri sa në një foto të Kel Marubit më 1915 qëndron në rreshtin e parë të Këshillit bashkiak të Shkodrës. Pas zbulimit të prirjeve tepër evidente të Ludovikut nga muziktarët e rrethit të tij, atë e gjejmë sipas dokumenteve në Vjenë, në Konservatorin me emër, ku sipas profesorit të tij Jaroslav Kocian në vitin 1930 kur ai absolvon, përfaqëson një “Nxënës-Mjeshtër të suksesshëm. Njëherësh është shumë i talentuar dhe shumë i zellshëm”. Vlerësimi është maksimal për Lodo Naraçin nga një emër që njihet jo vetëm si mësues i shquar, por dhe si një nga violinistat koncertistë, përfaqësues të platesë koncertore të kohës.
Naraçi me gjithë këtë nivel të konfirmuar, nuk e ndali shkollimin e tij vetëm me Konservatorin shtetëror të Vjenës. Ai i adresohet për një specializim superior Virtuozit Otakar Shevçik(1832-1954), themelues i Shkollës çeke, morave dhe sllovake të shekullit XX, i cili që 14 vjeç për aftësitë e tij, ishte pranuar pa konkurs në Konservatorin e Pragës dhe që pas një karriere maramendëse koncertore, iu dedikua tërësisht mësimdhënies, i konsideruar si autoriteti më i lartë botëror i pedagogjisë violonistike.
Kur shqiptari Naraçi iu drejtua atij, Shevçiku kishte ngritur tempullin e tij në fshatin Pisek, ku prezenca e tij tërhiqte çdo vit qindra nxënës nga mbarë Evropa.
Aty kishte mbaruar i famshmi Jan Kubelik, që kishte ringjallur virtuozitetin e Paganinit, Jan Marzhak, pedagogu i Vasa Pshihodës super artist dhe pas bashkatdhetarit tonë, Aleksandër Plocek që gjithashtu vinte nga klasa e Kocianit, pasuar nga emri i madh Jozef Suk.
Otakar Shevçik, në diplomën që i lëshoi Lodo Naraçit, pas vërtetimit të ndjekjes së kursit të tij mjeshtëror, përdor një shprehje “rrëngjethëse” në klasifikimin e tij, që po e citoj nga origjinali gjermanisht i përkthyer saktësisht prej meje: “Zoti Lodo Naraçi është një Virtuoz i rangut të parë, me një teknikë të përbindëshme dhe unë jam i bindur se ai do ta demonstrojë këtë si solist”. (Në gjermanisht dy vlerësimet “Virtuose erstes Ranges” dhe epiteti “gewaltiger Technik” për saktësimin sipas përkthimit tim më sipër).
Ky formulim i çertifikuar nga kancelaria e Kursit mjeshtëror, është publikuar në librin e amzave vjetore të nxënësve të prof. O. Shevçik. Konsullata mbretërore e Shqipërisë në Pragë, më 15 korrik 1931, njofton Ministrinë e punëve të jashtme në Tiranë se:Zoti Lodo Naraçi ka mbaruar studimet e tij pranë profesorit O. Shevçik dhe do kthehet tani në atdhe. Aty theksohen rezultatet e larta të vlerësuara nga Profesori dhe fakti që shkolla e tij vizitohet nga artistët më të mëdhenj. Citohet kualifikimi i lartë i mjeshtrit për z. Naraçi duke shtuar se ai mund “të gjejë në atdhe lavdinë e tij, si talent i mrekullueshëm”.
Deklarata e Konsullatës mbretërore të Pragës është lëshuar në gjuhën frënge, gjë që të shtyn të mendosh se është përdorur dhe për promovimin e Virtuozit “me teknikë të përbindëshme” në institucione apo agjenci koncertore të tjera dhe në ato të sferës frankofone.
I armatosur me këtë kapital profesionaliteti të lartë, krenar me siguri dhe i ndërgjegjshëm për misionin e tij Ludovik Naraçi u kthye të takojë njerëzit e tij të dashur në Shkodër dhe të ngrejë lavdinë e tij sipas Orakullit të tij të Pragës që ai e besonte si Zotin.
Jemi më 1931. Por, një kujtim nga Atdheu i pesë viteve më parë nga “datëlindja e shifrës 1 të recitalit të parë violinistik shqiptar” të 3 dhjetorit 1926, siç e nisëm këtë shkrim, kur Ludovik Naraçi 23-vjeçar erdhi të koncertojë në Teatrin Nacional të Tiranës bashkë me pianistin vjenez Schaferberg, në orarin e pa përshtatshëm (në ora 3 të drekës), kjo për shkak të orareve të zëna nga shfaqje filmash deri vonë, kujtim që çdo herë që do dilte në publik më pas, kudo që ishte rasti dhe vendi, i shkaktonte një drithërimë që i rrudhte vetullat, më e pakta ose I ngacmonte emocionet. Ç’kishte ndodhur?!
Gjithçka që nga dalja e parë në skenë ku pati një shpërthim duartrokitjesh, kjo dhe për shkak të rinisë dhe elegancës vjeneze që ai dhe pianisti e evidentonin si për të thënë se recitali i tyre ishte në çdo drejtim më i lartë se Koncertet e tjera të organizuara nga konsullatat fqinje me artistë nga vende e tyre. Ludvigu kishte zgjedhur kremin e repertorit violinistik. Ishte gati një antologji nga “La folia” paraklasike e Corellit deri te “Dans Tziganesque” drithëruese dhe maramendëse në pjesën e fundit, kur salla kudo shpërthente dhe brohoriste!
Për të sjellë një delikatesë të rrallë shqiptare ,mërmëritëse dhe të dekoruar me ornamente gjithëfarësh që ai i kishte dëgjuar që atëherë kur se mbante mend, nga miku i babës, axha Shtjefën, që më vonë do të ishte ai që i vuri në sup për herë të parë violinën për ta nxitur “të nxajë veglën”. Kjo do ishte jo vetëm një finale kombëtare e pa dëgjuar por dhe ashtu si ai e kishte vendosur në finale gati me pak snobizëm duke e titulluar në frengjisht: Naraçi-Souvenir de Qor Jakova, me emrin që e thërriste shoqëria axhën Shtjefën. Kishte marrë melodinë e këngës popullore të preferuar “O bilbil, o mbreti i shpendëve”, që sa herë e luante e ndjente violinën të tingëllonte si mbreti i shpendëve.
Salla e Nacionalit e kuptoi mesazhin e Virtuozit dhe e duartokiti e ngritur në këmbë gjatë ,por bash atëherë kur aplauza po qetësohej një zotni elegant i radhës së parë nga fundi lëshoi një “za t’grricun”: Zotni a na i bjen dhe Valles…”(s’ka rëndësi çfarë kërkese bëri njeriu i veshur lluks në radhën e parë).
Artistit iu duk se u shemb e ardhmja e tij, se ai do të ndeshej “tanë jetën me këtë nivel kulture provinciale”. I erdhi zor nga profesori i ardhur nga Vjena dhe përgatitja e hollë që kishin bërë,më shumë se për Koncertet e fundit në Vjenë a Pragë. Përshëndeti shpejt mori dhe profesorin vjenez me vete,u ndal vetëm me kë i doli përpara dhe ishin në hotel, kur duartrokitjet në Nacional vijonin ende!
Nuk u interesua dhe nuk e mori vesh kurrë emrin e injorantit që i dhunoi Koncertin, që gjithsesi mbeti historik deri sa e kujtojmë dhe tani pas 97 vitesh.
Me kohë ngjarja thuri legjendën naraçjane. Në çdo kohë njeriu misterioz konsiderohej si nga radhët e shtetarëve opozitarë, madje në kohën e regjimit të ri, dikush ia vishte dhe vetë mbretit!
Ndërkohë, Naraçi i ri vendosi në brendinë e tij se me që sipas Biblës “Nuk mund të ketë profet në vendin e vet”, të vijojë më lart shkollimin, të koncertojë kudo, por t’i përkushtohet pedagogjisë së violinistëve shqiptarë, që i duhen vendit në rrugëtimin e saj ashtu si vendet e qytetëruara ku ai studioi.
VIRTUOZI DHE PROFESORI I SHQUAR
Ndërkohë, Naraçi i ri u bind për vertetësinë biblike se profet në vendin e vet nuk mund të këtë. Vendosi të vijojë studimet në shkollimin më të lartë të mundëshëm, por t’i përkushtohet pedagogjisë tërësisht, ashtu si profesori Shevçik për përgatitjen e sa më shumë violinistëve shqiptarë, që do t’i duheshin me siguri vendit për krijimin e orkestrve të mëdha të institucioneve më të rëndësishme kombëtare, ashtu si në vëndet e qytetet e mëdha ku ai studioi.
Ideali i tij, me këtë vendim, nga ai i pari, artistik e profesional, tani kishte marrë përmasat e një objektivi më madhor, ku profesionalizmi dominohej nga interesi kombëtar, pse jo dhe patriotik!
Nismëtarët para dhe pas tij i shkuan deri në fund këtij projekti, pa iu shmangur, por duke e vijuar atë në të gjitha rrethanat historike e sociale ku jeta i çoi duke i vënë jo pak herë në provë.
Ndër nismëtarët, prof. Naraçi jetoi bollshëm dhe më gjatë se të tjerët, deri në zgrip të mileniumit të ri, deri në 96 vite jetë. Dhe ashtu, u lotuam nga ndarja me të në atë ditë shkurti me acar, bashkë me Gjovalin Lazrin, drejtuesin artistik të Liceut, i cili në çdo rast fillonte me emrin e tij çdo material të kronikave për shkollën dhe festiviteteve.
Një rast i veçantë për t’i dhënë satisfaksionin e munguar profesional pas daljes në pension ishte kur qeveria e Kryeministrit Meksi, me listën e parë të pensioneve të veçanta për personalitetet i akordoi profesor Naraçit një mundësi më të mirë jetese në ato vite të vështira. Në fakt, ai priste diçka më shumë se medalja e punës e klasit 3 akorduar nga Kuvendi Popullor, por gjithsesi kjo dekoratë e rangut të ulët, i krijonte qetësi për sigurinë e tij dhe të familjes jo me pak halle.
PERSONALE, NJË FTESË PËR NË VJENË
Në vitet e fundit të sistemit, ekzaktësisht në vitin ’89, kur puna ime si pedagog dhe drejtor i Liceut po lulëzon, falë krijimit të Orkestrës virtuoze me nxënësit e mija dhe të kolegëve të shkollës,kaq sa morrëm si asnjë ansambël tjetër, një ftesë për të koncertuar në Austri që mori udhën e realizimit falë mbështetjes imponuese të ministrit Skënder Gjinushi, që e vlerësoi si sukses të shkollës sonë artistike. Shtypi austriak dhe baneri gjigant me titullin “Klang Exstasen” (Ekstasa e tingujve), na rrënqethte të gjithëve.
Një ditë të nxehtë vere, ndërsa po i afrohesha hyrjes së shkollës, shoh aty pari prof. Naraçin që duke ecur, ndali pak hapat dhe këqyrte shkollën. Pa një, pa dy iu afrova me mall dhe pa ia dëgjuar arsyetimin e tërhoqa drejt Sallës së koncerteve ku “kalamajtë” po prisnin, duke u thënë: Ky profesor i madh është violinisti dhe pedagogu i parë shqiptar, nxënës i Shevçikut të madh, me metodat e të cilit iu studioni, Virtuozi Ludovik Naraçi. Ne po shkojmë në Austri ku ai ka studiuar. Nëse ai do të pëlqejë sot Paganinin dhe Pugnani-Kreislerin tonë, ne do të dalim me sukses!
Duartrokitjet e stuhishme dhe interpretimi i frymëzuar si asnjëherë tjetër, ishin buqeta e nderimit më të lartë për të!
“Bravo! 20 violinistë që luajnë Paganinin në unison si 20 solistë s’ka ndi kush. Ju do habisni jo vetëm austriakët!”.
Titulli i gazetës më të madhe ishte: “20 violinistë që luajë Paganinin me një precizion të pabesueshëm”.
Profesori pati të drejtë. 15 vite zgjati rrugëtimi evropian i virtuozëve të rinj të Tiranës, konsideruar si Orkestestra rinore më e mirë në Evropë dhe përtej saj.
Homazhi për profesor Naraçin, për shumë arsye erdhi më 3 dhjetor 2023, pas 30 vitesh, po unë dhe gjithashtu 20 violinistë epianistë nga 10 deri 40 vjeç që ishin me mua në skenën e Hollit në Teatrin e Operas dhe Baletit, ndjenë rëndësinë historike të një akt-nderimi që u krye së fundmi me dinjitet të plotë dhe përkushtim.
POST SCRIPTUM
Nga arkivi familjar, një letër e vyer e lexuar me një frymë. 15.3.1960, Pragë
I dashtuni dhe i nderuari Zotni Profesor!
Profesor! Tash mbarova kohën e parë të Koncertit D dur të Çajkovskit, e bana dhe provë me piano. M’shkoj mirë, vetëm sëmundja ime me fluturue d.m th., edhe një herë më shpejt. Profesori mbeti i knaqur dhe kur dikush thotë sa shpejt e mëson ose e harron teknikisht. Profesori gjithmonë thotë: Shumë mirë, por kjo është meritë e kolegut shqiptar…
Me shumë respekt, nxansi juaj, Robert Papavrami.
Krenaria e virtuozizmit të trashëguar nga prof. Roberti është Virtuozi ynë më i arrirë e me rekorde ndërkombëtare, shqiptarofrancezi, Tedi Papavrami. Mjafton vetëm ekzekutimi në publik i integralit të 24 Kapriceve të Nicolo Paganinit, CD e një produksionit të rrallë dhe shumë të tjera, që të deklarojmë se: Pas 100 vjetësh, “Andra e Naraçit për Virtuozin Shqiptar” është realizuar plotësisht!