“Të gjitha jashtë parimeve kushtetuese”. Kështu i ka cilësuar kryeministri Edi Rama të 8 kërkesat e opozitës parlamentare për të ngritur komisione hetimore, çështje kjo që prej javësh ka shkaktuar një ngërç në Kuvend, ku janë shënuar dhe incidente me flakadanë.
Kreu i qeverisë u shpreh në A2 CNN se opozita e ka një zgjidhje nëse mazhoranca ka gabuar me mohimin e ngritjes së këtyre komisioneve dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Ai shtoi se të gjitha kërkesat e opozitës janë shqyrtuar një më një dhe të gjitha kanë pasur shkelje.
“Komisionet janë të gjitha jashtë parimeve kushtetuese. Është humbje kohe. Ne i kemi të argumentuara të gjitha një për një sipas Kushtetueses, arsyet përse janë të pamundura si Komisione. Ka prapë rrugë. Ka Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama.