Tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt janë transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla pas caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji janë transferuar në këtë burg. Të tre dyshohet se në bashkëpunim kanë planifikuar vrasjen e Liridona Ademajt. E vrasja dyshohet se është porositur nga burri i saj, Naim Murseli.
Naim Murseli, dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”./m.j