Partia Socialiste, sipas modelit të partive të tjera europiane, pritet të ngrejë sipërmarrje për të menaxhuar asetet e saj. Kjo është një nga risitë e statutit të PS-së, miratimi i të cilit pritet në Kongresin e 19 marsit.
Nga 2 nene që ka statuti aktual i miratuar në kongresin e vitit 2011, projektstatuti i ri ka përfshirë nëntë nene që lidhen me burimet financiare dhe materiale, përdorimin, kontrollin dhe transparencën e tyre.
Sipas këtij projekti, “të ardhurat financiare të partisë dhe të organizatave të saj përbëhen nga kuotat e anëtarësisë, burimet prej buxhetit të shtetit, ndihmat e anëtarëve, përkrahësve dhe votuesve të partisë, dhuratat e ndryshme të ligjshme, të ardhurat prej sipërmarrjeve që mbajnë dhe shfrytëzojnë asetet e saj, si dhe nga të ardhurat e tjera, në përputhje me ligjet e shtetit”.
Në një nen të ri përcaktohet skema financiare përmes së cilës do të bëhet e mundur thithja e burimeve financiare sipas rregullave të përcaktuara. “Partia ndërton një skemë financiare, të miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe që përbëhet nga llogari qendrore dhe vendore.
Numër llogarie të veçantë mund të kenë strukturat e mëposhtme të partisë: a. Administrata qendrore e partisë; b. Asambleja socialiste e bashkisë; c. Forumi i Gruas Socialiste; d. Forumi i Rinisë Eurosocialiste”, thuhet në pikën një të nenit 85.
“Partia krijon sipërmarrje që mbajnë dhe shfrytëzojnë asetet e saj”, thuhet në pikën 2 të këtij neni. Socialistët do ta ndajnë fondin që marrin nga buxheti i shtetit për fushatat zgjedhore mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga rregulloret financiare kombëtare, dhe në mungesë të tyre në proporcion me numrin e votuesve në çdo bashki.
Ky kapitull nenesh përcakton edhe pranimin e dhuratave nga individë dhe subjekte, të cilat shënohen në librin e partisë, por dhe rastet kur nuk pranohen dhuratat. “Nuk mund të pranohen dhuratat: a. Nga ndërmarrjet publike; b. Nga organizatat fetare; c. Nga jashtë vendit ose shtetas të huaj jo anëtarë të partisë, përveçse kur janë më pak se 1000 euro; ç. Në pritje ose në këmbim të një avantazhi të caktuar ekonomik ose politik; d. Nga individë apo organizata që nuk pranojnë të deklarohen”, thuhet në pikën 3 të nenit 87. Në një nen të veçantë, projektstatuti ka përcaktuar edhe kërkesat për transparencën financiare të kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish në fushatat elektorale. Panorama