Më 1 mars, në fshatrat e krahinës së Korçës, fëmijëve dhe beqarëve djem e vajza u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë, term që ndoshta ka lidhje me emrin e stinës ‘verë’ në shqip. Në fund të ditës, vajzat i linin ato në degë peme ose në shkurre. Në qoftë se zogjtë i merrnin ato verore për të bërë fole, atëherë mendohej se vajza do të martohej brenda vitit.
Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit.
Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.
Receta e ballokumes
Përbërësit: 1 kg miell misri, 500 g gjalpë i freskët, 8 kokrra vezë, Pak finjë zjarri, 500 gr sheqer
Përgatitja:
Të gjitha asortimentet përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri. Me pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e miellit të misrit. Mielli i misrit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar hidhet pak finjë zjarri. Rrahja duhet të bëhet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret më lugë druri dhe vendoset ne topa ne tepsi dhe futet në furrë. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve. Living