“Jam shef Kadriu…”, zbardhen përgjimet e dy sekserëve të arrestuar që u premtonin kandidatëve për policë se do kalonin testin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, ose ish- Shkollën e Policisë.
Gëzim Metaliaj, ish-polic rrugor dhe Rexhep Rexha, së paku nga hetimet e deritanishme, i kanë marrë një shumë eurosh B.L nga Cërriku. Mësohet se shuma është 900 euro.
Metaliaj ka arritur të binde B.L se nëse jepte nga 300 euro për çdo fazë testimi, do fitonte dhe ka porositur një shokun e tij që të hiqej si Shef Kadriu.
B.L u kishte lënë dy personave automjetin e tij peng, derisa të shlyente të gjithë shumën. Gjatë negociatave, është zbuluar se Metaliaj ka folur në telefon me një person, që e quante Shef Kadria, duke i thënë B.L se profesor Kadria ishte në Vlorë dhe nëse donte ta takonte të vinte në Tiranë të dielën, ose të martën. Dhe nga raportet e vëzhgimit, siç raporton Panorama, Metalia shfaqet qartë duke marrë 300 euro.
Metaliaj ka komunikuar me një tjetër person, duke i thënë me mesazh: “Do të vijnë ato të Cërrikut për shkollë, do të të marr unë, ti je profesori, emrin e ke Kadri”.
Nga verifikimet e kryera, kjo bisedë është kryer me shtetasin Elton Hasanllari.