Klan Macedonia sjell detaje për ngjarjen e rëndë të rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, e shpallur e zhdukur në 27 Nëntor në Shkup.
14-vjeçarja është rrëmbyer para hyrjes së ndërtesës ku ka jetuar. Rrëmbyesit i kanë lidhur duart dhe këmbët, e kanë mbuluar me thes dhe e kanë vendosur në bagazhin e makinës “Citroen”. Para makinës ka patur një automjet tjetër “Reno Kango”.
Viktima është dërguar në një lokacion jashtë Shkupit, afër fshatit Brazdë-Çuçer Sandevë, ku është kryer vrasja, e më pas është djegur makina me të cilën është rrëmbyer.
14-vjeçarja është vrarë në përpjekjet për të zhvatur para nga e ëma e saj. Merret vesh se e ëma kishte shitur një banesë.
“Lidhur me dy rastet, të dyshuar janë 5 persona, prej të cilëve për tre është caktuar masa e paraburgimit, njëri është jashtë vendit, kurse personi i pestë (babai i të miturës) është ndaluar nga policia dhe është marrë në pyetje. Motivi është për “përfitim material”, ku njëri nga të implikuarit, në marrëveshje me një anëtar të familjes e kanë organizuar kryerjen e veprës penale, që të zhvatin para nga e ëma e të miturës”, tha Oliver Spasovski.
Por në konferencën e sotme për mediat u hodh dritë tjetër lidhur me dy rastet. Prokurori Gavril Bubevski vlerësoi se dy rastet lidhen njëra me tjetrën.
“Pançe Zhezhovski ka qenë i rrëmbyer më 24 nëntor, për shkak të pretendimeve për një borxh prej 500 eurove ndaj të dyshuarit kryesor, por prapavija ka qenë që t‘i merret makina, me të cilën disa ditë më vonë është rrëmbyer 14-vjeçarja. Kontrollohen informacionet nëse është e vërtetë se babai i të miturës, organizatorëve ua ka siguruar informacionin për lëvizjet e Vanjës”, tha Gavrill Bubevski.
Dy orë e gjysmë pas rrëmbimit të 14-vjeçares, organizatorët i kap paniku, pasi i gjithë opinioni alarmohet dhe nisin kërkimet. Pas kësaj vendoset që vajza të eliminohet. Të arrestuarit gjatë seancës dëgjimore kanë thënë se është vrarë me revole rreth orës 10:00 ditën e rrëmbimit, më 27 nëntor.
Ekzekutori, sipas policisë, është në arrati. Gjurmët i humbin në Bullgari. Ai nga vendi është larguar më 30 nëntor. Avokati i tij ka mohuar se ka pasur njohuri për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjet.
“Do të bëjmë gjithçka, unë dhe MPB-ja, që ky monstër që jemi duke e ndjekur, sa më parë, sapo të hyjë në tokën tonë, të dalë para drejtësisë”, deklaroi Spasovski.
Grupi i organizuar ka kryer dy vepra penale, rrëmbim dhe dy vrasje. Paralajmërohet se do të ndiqen për vepra penale për të cilat parashihen dënime maksimale me burg në Maqedoninë e Veriut.