Për të parandaluar sëmundjet e veshkave në moshat e hershme është e rëndësishme që të promovojmë një stil jetese të shëndetshëm, duke filluar që nga lindja e deri në moshat madhore”. Deklarata vjen për Gazetën Shqiptare nga Matilda Imeraj, mjeke në Shërbimin Nefrologji-Dializë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila thotë se në një të dhjetën e njerëzve të prekur nga sëmundjet e veshkave, shumica e tyre janë fëmijë.
“Sëmundjet e veshkave mund të ndikojnë te fëmijët tanë në mënyra të ndryshme, duke filluar që nga çrregullime të shërueshme pa pasoja afatgjata, deri në situata me rrezik për jetën. Sëmundjet akute të veshkave zhvillohen papritur, zgjasin për një kohë të shkurtër dhe mund të shërohen pas trajtimit të shkakut fillestar. Sëmundjet kronike zakonisht çojnë në dëmtime të parikthyeshme të quajtura Sëmundje Kronike të Veshkave të stadit terminal, të cilat mund të trajtohen me dializë ose transplant. Fëmijët me sëmundje të tilla përballen me shumë sfida në jetë, përveç sëmundjes, e para imazhi negativ për veten dhe e dyta probleme në marrëdhëniet sociale, në sjellje etj.”, shpjegon mjekja. Gjithashtu, ajo rendit një sërë faktorësh, që mund të ndikojnë te fëmijët për t’u prekur nga këto sëmundje. “Sëmundjet kronike të veshkave te fëmijët mund të shkaktohen nga: sëmundjet e trashëguara nga prindërit, nëpërmjet gjeneve, infeksionet, sindromit nefrotik, sëmundjet sistemike, trauma etj. Diagnostikimi i hershëm i këtyre sëmundjeve problematike ka një rol kyç në ecurinë e sëmundjes”, – shprehet mjekja.
Zbulimi dhe trajtimi
Për të zbuluar sa më herët këto sëmundje mund të kryhen disa analiza të thjeshta, që më pas ndikojnë në trajtimin e suksesshëm të tyre. “Një prej tyre është analiza e urinës, një analizë e thjeshtë nëpërmjet së cilës mund të zbulohet prania e albuminurisë, e infeksionit urinar etj. Ndërsa tjetra është analiza e gjakut: gjak komplet dhe Bilanc biokimik (urea dhe kreatinina ), imazheria, e cila na ndihmon në vizualizimin e formës së veshkave, pozicionit të tyre dhe evidentimi i anomalive. Nëse është e nevojshme, si në rastin e sëmundjeve më të komplikuara, edhe biopsia e veshkës, si standardi ‘i artë’ për vënien e diagnozës së saktë”, – shpjegon mjekja.
Këshilla
Ndërkaq, për të parandaluar prekjen e fëmijëve nga këto sëmundje, mjekja jep disa këshilla të rëndësishme për prindërit. “Ruajini fëmijët nga mbipesha, i cili është faktor risku për diabet dhe hipertension arterial, kripa të merret në sasi të kufizuar, jo alkool dhe duhan gjatë shtatzënisë, konsumoni ujë dhe lëngje, sepse të mbash një veshkë të shëndetshme do të thotë të veprosh shpejt”, rekomandon nefrologia. Ndërkaq, sa u takon fëmijëve të prekur nga sëmundje kronike të veshkave, Imeraj thotë se “është e rëndësishme të ndiqet një dietë rigoroze. Prindërit dhe kujdestarët e tyre, duhet të konsultohen me mjekët për çdo ndryshim në dietën e fëmijëve që vuajnë me këto sëmundje. Proteinat, kaliumi, kripa, fosfori dhe elementë të tjerë duhet të jenë të pranishëm në dietë, por në sasi të kontrolluara. Dieta hidrike e pasur ka një rol të veçantë. Në fund mund të themi se, një fëmijë që vuan nga veshkat duhet trajtuar si adult dhe adultët që vuajnë nga të njëjtat problem duhen trajtuar si fëmijë dhe rezultati do të jetë i shkëlqyer”, thotë mjekja.
BW