Socialistët rikthejnë në strukturën qendrore të partisë postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Projektstatuti i ri, i cili do të miratohet në kongresin e 19 marsit, në nenin 47 të tij përcakton postin e Sekretarit dhe detyrat e kompetencat e tij, shkruan Panorama.
“Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste zgjidhet nga kongresi zgjedhor i PS dhe është përgjegjës për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë”, thuhet në pikën e parë të nenit 47. Burime pranë grupit të punës për përgatitjen e projektstatutit thanë dje se rikthimi i postit të Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Socialiste lidhet me domosdoshmërinë e angazhimit të një individi me shumë njohje dhe mbështetje në këtë parti, veçanërisht gjatë kohës që kryetari i saj është kryeministër dhe merret me punët e qeverisë.
Në këto kushte, kryetari në hije i Partisë Socialiste, i cili do të merret me punët e partisë, do të jetë Sekretari i Përgjithshëm. Partia Socialiste e kishte këtë funksion deri në vitin 2011, kur u bë statuti i ri dhe PS ishte në opozitë.
Gjatë kohës së opozitës, kryetari i Partisë Socialiste ishte i angazhuar me kohë të plotë vetëm me punët e partisë, ture, fushata, takime etj., dhe nuk kishte nevojë për të pasur edhe një numër dy me detyra dhe kompetenca partiake.
Panorama