Kryetari i Partisë Demokratike, i cili ndodhet në Vienë në takimin e organizuar nga Partia Popullore Europiane ka diskutuar me zyrtarë të lartë në lidhje me krizën e refugjatëve në Ballkan. Në fjalën e tij Basha ka thënë se Shqipëria ka kapacitete të pakta për menaxhimin e refugjatëve si dhe se rreziku i trafikimit të emigrantëve përmes vendit, është një çështje që për tu shmangur, kërkon ndihmën e BE-së dhe NATO-s.
“Mundësitë e kësaj qeverie për të menaxhuar krizën e refugjatëve janë shumë të limituara. Së pari, për shkak të situatës së keqe të sundimit të ligjit, e cila është përkeqësuar nga influenca e krimit të organizuar, e cila po bëhet gati për të mobilizuar trafikimin e qenieve njerëzore përtej Adriatikut dhe kjo mund të përkeqësohet akoma më tej nga mundësia e infiltrimit të elementëve terrorist. Prandaj Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të NATO-s…”, tha Basha.
Në takim të nivelit të lartë, marrin pjesë presidenti i PPE Joseph Daul, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok si dhe Ministra të Jashtëm të BE janë pjesëmarrës në këtë takim i cili drejtohet nga Ministri i Jashtëm Austriak Sebastian Kurz.
Prej ditësh tashmë flitet për një kalim të mundshëm të emigrantëve të bllokuar në kufirin Maqedonas e Grek përmes Shqipërisë. Autoritetet shqiptare ndërkohë kanë marrë një sërë masash në lidhje me situatën dhe atë që mund të ndodhë. Kohët e fundit ka patur një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në formën e një plani masash në rast të menaxhimit të emigrantëve, që do të mund të hynin në territorin shqiptar.