Analisti Preç Zogaj, duke komentuar gjendjen e opozitës në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se drejtuesit e saj nuk kanë agjendën e interesave të qytetarëve, por kanë agjendën e problemeve personale, pasurisë dhe karrierës së tyre. Sipas tij, ky popull, me një opozitë të re, të organizuar dhe me njerëz të rinj do ta bëjnë rotacionin politik.
“Shoqëria reagon, por kush e kapitalizon reagimin, ky është problemi. Këtu ka thirrje gjithmonë dhe akuzohet populli, sepse ai nuk i ndjek këto liderë tani. Populli ka parë se këta liderë kanë agjendë tjetër, nuk kanë agjendën e interesave të qytetarëve, por të problemeve personale, pasurisë së tyre, karrierës së tyre.
Opozita në Shqipëri, për mendimin tim, e ka konsumuar ndër vite, radikalizmin dhe obstruktionizmin, që janë mjete legjitime në luftën politike, por ti nëse e kompromenton nga shpërdorimi, radikalizmi nuk shërben më. Ne kemi shembuj pa fund në 20 e ca vite të PD-së që këtë retorikë ka patur, nuk motivon kënd. Nuk ka as plan, është vetëm retorikë, që shumë njerëz nuk i kuptojnë.
Këtu po kërkojnë të ndërtojnë një kauzë njerëz që e kanë krijuar këtë problematikë të opozitës. Unë i njoh shumë mirë, e njoh edhe Sali Berishën, e di se ç’po ndodh. Ai është evaziv, edhe kur thotë që të ikë Rama. Gjithë operandi i Saliut është që motivojë disa njerëz që do t’i shkojnë pas. Këtu nuk po dalin disa njerëz të rinj, ose këta të vjetrit, po këta të vjetrit konceptojnë një të ardhme të opozitës, duke bërë një hap mbrapa vetë. Dhe po ta them me bindje se ky popull që themi se ka ulur kokën, me një opozitë të re, të organizuar, të rinj që nuk e kanë konsumuar veten e tyre, që kanë një projekt që dinë të bëjnë politikë, që kanë një ligjërim të ri, shkaktojnë rotacionin”-tha Preç Zogaj.
/a.r