Analisti Preç Zogaj deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se reagimi i Greqisë ndaj Fredi Belerit të arrestuar prej 2 majit për blerje votash, për të vënë veton ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, është një akt jomiqësor ndaj Shqipërisë, abuzim dhe shpërdorim i anëtarësimit të Greqisë në BE dhe të drejtës që ka për të vendosur veton. Zogaj tha se duhet të vijë një mision i BE-së këtu dhe ta shohë këtë çështje.
“Unë Belerin e shoh si një shtetas shqiptar. Natyrisht ai është arrestuar, ka padi penale ndaj tij, janë kalur në flagrancë njerëzit e tij duke blerë vota.
Në Shqipëri kjo është një gangrenë. Unë nuk e pëlqej shumë burgosjen e gjatë pa dënim.
Nuk dua të paragjykoj drejtësinë, por kaluan shumë muaj për një vepër penale rutinore.
Mbahet në gjendje paraburgimi që është burgim në thelb.
Pranoj masën e sigurisë, burgim edhe pa afat për vepra penale vrasje, për kriminelë dhe njerëz që paraqesin rrezikshmëri, ose ka prova se mund të ikin.
E dyta, them edhe këtë, nuk i miratoj me zemër të pastër masat e sigurisë me burg të gjatë.
Drejtësia mund të kishte operuar më shpejt.
Kjo që ka bërë Greqia, sidomos dje dhe sot, është një akt jomiqësor ndaj Shqipërisë. Është akt i shtetit grek, një abuzim dhe shpërdorim i anëtarësimit të Greqisë në BE dhe të drejtës që ka për të vendosur veton.
Natyrisht, ju thatë që përgjatë këtyre viteve, ka patur periudha të përmirësimit të marrëdhënieve, por ka një akumulim të vjetër që del në pah shpeshherë dhe ka dalë edhe në këtë rast, ku Greqia kërkon të lirohet një person i arrestuar nga drejtësia. Pra i kërkon Shqipërisë, të bëhet një shtet politik. Kjo është në kundërshtim me standardin e integrimit në Bashkimin Europian.
Bilateralizmi mund ta pengojë pafundësisht zgjerimin e BE-së.
Mendoj se duhet të vijë një mision i BE-së këtu dhe ta shohë këtë çështje.
Më duket sikur Greqia kërkon të arrijë çështje të tjera këtu, që Shqipëria të vetëpaditet si vend ku nuk ka drejtësi.
Ata kanë shkuar larg. Ata thonë nëse nuk lironi këtë ne vendosim veton”-u shpreh Zogaj.
/a.r