Gjigantët francez të Paris Saint-Germain, të udhëhequr nga Zlatan Ibrahimoviç që shënoi katër gola, siguruan titullin e katërt radhazi pasi fituan në transfertën ndaj Troyes me rezultat 9-0.
Vetëm katër ditë pasi siguruan çerekfinalen e Championsit, PSG tani feston titullin e 6 në histori të skuadrës kur kanë mbetur edhe 8 javë deri në përfundim të kampionatit.
Në këtë mënyrë, PSG theu rekordin e Lionit të vitit 2007, kur formacioni i Gerard Houllier siguroi titullin pesë javë nga fundi. Parizienët tani mbajnë rekordin edhe për Europë, duke kaluar Bayernin e vitit 2014 që u shpall kampion 7 javë nga fundi i kampionatit.
Përpos Ibrahimoviç që realizoi katër gola ndaj Troyes, duke iu afruar edhe “Këpucës së Artë” franceze, Edison Cavani ishte një tjetër lojtar që shkëlqeu duke realizuar “dopietë”. Në listën e golashënuesve u futën edhe Rabiot dhe Saunier, ky i fundit çoi topin në rrjetën e vetë në minutën e 58.
Parizienët tani mund të fokusohen vetëm në Ligën e Kampioneve si objektiv plotësisht i arritshëm. Suksesi i fundit në “Stamford Bridge” i ka forcuar pozitat e francezëve, që nëse më parë eliminoheshin edhe për gabime arbitrale, tani kanë edhe fatin me vete në kupën me “veshë të mëdhenj”.
Sezoni i shkëlqyes i PSG, mund të kompletohet edhe me dy kupat kombëtare të Francës, për të cilët formacioni kryeqytetas është plotësisht në garë. TCh