Në takimin e sotëm me kryetarët e degëve të Rithemelimit, Sali Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj mazhorancës. Kryeministrin Edi Rama ai e cilësoi “të keqen më të madhe të vendit”, duke theksuar se opozita nuk mposhtet.
“Ne në asgjë siç jeni dëshmitarë ju, kemi ndjekur me luajalitet të plotë gjithçka, në mënyrë që të respektohet institucioni si i tillë. Por kur ky i shndërron institucionet e vendit në vegla të verbra, ato poshtërojnë veten e tyre. Për ne, nuk ka diskutim që ai mbetet e keqja më e madhe. Por i garantoj edhe ata të cilët bëjnë lakejtë e tij, që bëhen larot e tij në detyrën që kanë, do kenë fatin e tij. Ne nuk mposhtemi. Ne i konsiderojmë ata, njëlloj siç kemi konsideruar në vitet e fundit të diktaturës, policinë sekrete shqiptare. Dhe do u rezervojmë të njëjtin vend, të njëjtin qëndrim. Gjykatës që fshihet prapa krimit të vet dhe KLGJ-ja në vend që të mbrojë drejtësinë, të mbrojë ligjin, mbron delinkuentin. Prokurorë që nuk duhet të jenë kurrë në përputhje me ligjin, mbahen aty si zagarë të Edi Ramës, kundër opozitës.”
Sipas tij, Rithemelimi do të përballet me qeverinë aktuale të cilën e konsideron “diktaturë”.
“Çfarë mund të presim ne, përveçse përballje, asgjë tjetër. Vitet kur u përballëm me diktaturën, e larguan Hekuran Isain nga detyra. Ramiz Alia e largoi. Kurse Edi Rama solli pra, përfaqësuesin më të shëmtuar të krimit të organizuar sepse kjo është mobokraci, është diktaturë e bandave. Nuk është e doktrinës marksist leniniste. Dhe ai erdhi vetëm për këtë. Mund të ndalem në shumë aspekte, por nuk shkon të shpenzojmë më kohën.”
Fjalën e tij ai e përfundoi duke thënë se opozitarët do të ngrihen me të gjitha mjetet e mosbindjes civile dhe se pluralizmi do të vendoset.
“Kështu që kjo mbledhje ka këtë mesazh. Kudo duhet të ngrihemi me të gjitha mundësitë tona, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Regjimi duhet të bllokohet. Rivendosja e Kushtetutës, e pluralizmit, e të drejtës së shqiptarëve për të votuar të lirë, është misioni ynë, është misioni i të gjithë atyre ëq guxojnë. Dhe unë ju garantoj ju se pavarësisht se mund të duket një situatë e topitur, por janë të panumërt midis jush dhe mbarë Shqipërinë, guximtarët që presin të organizohen në aksione kundër qeverisë.”
/a.r