Politikanët në gjashtë muajt e fundit po merren vetëm me veten e tyre, e jo me ato që janë në interes të qytetarëve, ka thënë përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ai ka theksuar se politikanët duhet të merren me ato çështje të cilat do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve.
Zhbogar, duke folur në një emision në televizionin publik të Kosovës në gjuhën serbe, ka thënë se tani që Kosova e ka zgjedhur presidentin e ri, i njëjti do të duhej të vazhdonte të kërkonte zgjidhje në dialogun politik mes qeverisë dhe opozitës.
“Qëllimi i tij kryesor do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha Zhbogar, transmeton Koha.net. Sipas shefit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, gjendja momentale politike është brengosëse, ndërsa tha se kjo gjendje duhet stabilizuar.
“Dy marrëveshje, në njëfarë mënyre, e kanë përshpejtuar këtë polarizim ndërsa më pas, me gaz lotsjellës e me të gjitha aksionet policore, është përkeqësuar situata”, tha ai.
Zhbogar ka theksuar potencuar se Brukseli zyrtar dënon dhunën në Parlament dhe për të nuk ka justifikim, ndërsa ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk do të përzihet në marrëdhënien mes qeverisë dhe opozitës.
“Prishtina duhet që vetë të dëshmojë se mund ta zgjidhë krizën politike me të cilën po përballet tash më shumë se gjashtë muaj”, ka shtuar Zhbogar.