Në prag të 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 111 nxënës mbollën në mënyrë simbolike 111 pemë në Parkun e Varrezave të Dëshmorëve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u bë pjesë e aksionit për mbjelljen e pemëve, tha se sot patriot është ai që nuk e bën pis Tiranën dhe Shqipërinë, ai që nuk ndërton pa leje, ai që nuk ndot, por kontribuon për gjelbërimin, që e thotë një fjalë të mirë duke inkurajuar të tjerët.
“Sot po jetojmë ditët tona më të mira, si Tiranë, si në Shqipëri. Madje, edhe si shqiptarë në rajon. Jam shumë mirënjohës kur shoh fëmijë të vegjël dhe nxënës, që javën e tyre të pushimit e kalojnë duke mbjellë 111 pemë në një nga kodrat më të bukura, siç janë Varrezat e Dëshmorëve. Shpresoj shumë që kjo javë festimesh të jetë edhe një javë reflektimi për të kuptuar se sot nuk kemi armiq që na pushtojnë, por pengesat më të mëdha, stërkëmbshat më të mëdhenj, i bëjmë po vetë, shqiptarë mes shqiptarësh, kur nuk gjejmë gjuhën, kur pengojmë njëri-tjetrin, kur mundohemi që partitë të dalin mbi vendin. Të mbjellësh pemë sot është më e rëndësishme! U bënë kaq vite demokraci, ende nuk vijmë dot bashkë, përtej partive politike dhe përtej ndasive partiake në Varrezat e Dëshmorëve apo në Çlirimin Tiranës. Është koha që të tejkalojmë ata persona që na mbajnë të ndarë dhe refuzojnë të pranojnë datat tona historike, që refuzojnë ta lënë vendin të ecë përpara me gjithë shpejtësinë dhe energjinë e mundshme. Do të duhet t’i lëmë pas ata, që vendi të ecë përpara”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se duhet ta marrim seriozisht shprehjen: “O sa mirë me qenë shqiptar” dhe secili duhet të kontribuojë për vendin e tij. “Disa e kanë kontributin në nivel kombërtar apo qyteti, por disa mund ta kenë kontributin te familja, lagjja, klasa, shkolla e tyre apo vendi i punës. Nëse secili sillet si një shqiptar dhe qytetar i mirë, i kemi bërë kombit një nder të jashtëzakonshëm dhe një respekt shumë të madh”, tha ai.
Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Anisa Ruseti falenderoi të vegjlit e qytetit për kontributin dhe nënvizoi se këto pemë janë një bukuri e shtuar për Tiranën. “Në kuadër të festave të nëntorit, të cilat janë festat më të rëndësishme të kombit shqiptar, kemi zgjedhur t’i shtojmë kurorës së gjelbër të Tiranës 111 pemë selvi. Zgjodhëm pikërisht parkun memorial të Varrezave të Dëshmorëve, si një dëshmi jo vetëm për të reflektuar për ata, të cilët kanë dhënë jetën që ne sot të kemi këtë Tiranë dhe këtë Shqipëri në të cilën jetojmë të gjithë, por edhe duke shtuar dhe duke u dhënë pak ndjesinë të rinjve që ky është një lloj kontributi që ne duhet ta bëjmë për brezat e ardhshëm”, tha Ruseti./m.j