Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive ndaj pronave që janë ndërtuar dhe po ndërtohen brenda territorit të bazës ushtarake të Shëngjinit. Procedimi penal për këtë çështje nisi nga SPAK për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Në hetim janë vënë disa ish-zyrtar lokal të cilët dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Gjykata e Lartë ka cituar prokurorinë që thotë se “kjo pasuri është brenda vendosjes së Forcave të Armatosura dhe se regjistrimi i kësaj pasurie në emër të personave privatë është në kundërshtim me ligjin dhe përbën cenim të sigurisë kombëtare”.
Objekti disa katësh brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit ka nisur të ndërtohet 2 vite më parë. Kjo çështje po hetohet që prej vitit 2021 pasi Komanda e Forcave Detare pas inventarit aplikoi për regjistrimin e gjashtë pronave. Denoncimi u bë nga ish-zëvendës komandati i Forcës Detare, Artur Meçollari dhe më pas u vu në lëvizje Ministria e Mbrojtjes dhe organet e drejtësisë që vendosën ndalimin e punimeve në godinën e ngritur deri në 4 kate.
Ka dyshime se në shkelje të dekretit për pronat e Forcave të Armatosura, zyra vendore e regjistrimit të pasurive në Lezhë, pajisën me dokumentacion të pjesshëm pronësie individë të ndryshëm brenda bazës ushtarake të Shëngjinit për një sipërfaqe rreth 62 mijë metër katrorë
Hetimet nisën nga SPAK, por më pas çështja i kaloi prokurorisë së Lezhës pasi Prokuroria e Posaçme nuk gjeti shkeljet nga subjektet që ka nën kompetencë.
Kujtojmë se vënia nën sekuestro preventive e objektit u kundërshtua në 2022 nga shoqëria që po kryen këtë investim. Përmes mbrojtësit ligjor të saj, avokatit Erjon Gjoni, kompania ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë në Lezhë që vendosi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme që sipas VKM Nr.515/2003 janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht të palës kallëzuese Reparti Ushtarak Nr.2001, pjesë e strukturës organizative të Forcave të Armatosura.
Si përfundim Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat e interesuar Nik Palokaj, Saimir Mergjyli, Aida Mergjyli, Petrika Golloshi, Alqi Golloshi, Artur Palokaj, Shoqëria “Flori” shpk, dhe Tonin Dodaj, kundër vendimit me nr. 111, datë 30.04.2022, të Gjykatës së Apelit, Shkodër.
/f.s