Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e përdorur nga tre persona të arrestuar për marrje parash në lidhje me pranimet në Akademinë e Sigurisë, shkruan Panorama.
Tre personat e arrestuar dhe një i katërt në kërkim nuk kanë pasur asnjë kontakt me Komisionin e Vlerësimit të testit, apo me personelin e Akademisë.
Ata i kanë marrë 800 euro një kandidati nga Cërriku, që ishte regjistruar për konkurrim në Akademinë e Sigurisë, duke e mashtruar nga fillimi i bisedës me të deri në fund. Gjithçka është zbardhur nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës dhe nga përgjimet e kryera ndaj të dyshuarve.
Në qendër të skemës mashtruese ka qenë shtetasi Gëzim Metalia, 44 vjeç, ish-efektiv i Policisë Rrugore.
Të arrestuar bashkë me të janë shtetasit Rexhep Rexha, 23 vjeç, dhe Erald Hasanllari, 25 vjeç. Këta persona mësohet se i kanë marrë 800 euro një kandidati për pranim në Akademinë e Sigurisë, duke i premtuar se pagesa do të shkonte për një pedagog, në mënyrë që qytetari i mashtruar të dilte fitues në testin e pranimit.
Por, në fakt, sipas hetimit të Prokurorisë, gjithçka ka qenë mashtrim, pasi të arrestuarit, të cilëve u janë sekuestruar edhe 800 eurot që kanë marrë nga qytetari, nuk kishin folur me asnjë njeri.
PËRGJIMET
Nga përgjimi i një bisede të zhvilluar mes të arrestuarit Gëzim Metalia, ish-polic rrugor dhe të dyshuarit tjetër Erald Hasanllari, del qartë se gjithçka është e sajuar. “Gëzimi e ka marrë në telefon Erald Hasanllarin dhe i ka thënë që të hiqej si pedagog i Akademisë së Sigurisë.
I ka thënë të prezantohet si “Shef Kadriu”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, ish-polici Metalia i ka bërë me dije Erald Hasanllarit se do të telefonohej nga kandidati për pranim në Akademinë e Policisë, i cili kërkonte të fliste vetë me “pedagogun” para se të jepte paratë. Pasi është marrë vesh me Hasanllarin, Gëzim Metalia i ka dhënë numrin kandidatit nga Cërriku.
Erald Hasanllari, siç del nga përgjimet, ka vepruar siç i ishte kërkuar. Ai është prezantuar si “Shef Kadriu” dhe i ka thënë qytetarit se “çdo gjë është në rregull, është i mbaruar si muhabet”. Pasi ka marrë sigurinë nga “pedagogu” me emrin “Shef Kadriu”, kandidati nga Cërriku ka kontaktuar me Gëzim Metalinë dhe i ka dorëzuar 800 eurot.
ARRESTIMET
Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë mbajtur për disa ditë në hetim personat e dyshuar. Pasi kanë përgjuar bisedat dhe veprimet që kryenin të dyshuarit, Prokuroria dhe Policia kanë arrestuar në flagrancë të akuzuarit që kishin krijuar një skemë mashtrimi me qëllim përfitimi, për aplikantët që duan të konkurrojnë në Akademinë e Sigurisë.
Më datë 10 dhe 11 mars 2016 janë arrestuar shtetasit Gëzim Metalia, 44 vjeç, dhe Rexhep Rexha, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, të cilët kanë mashtruar në këmbim të një shume prej 800 eurosh, një shtetas me inicialet B.L., me premtimin se do t’i jepnin të gatshme përgjigjet për testimin në Akademinë e Sigurisë dhe do të ndërhynin për pranimin e tij nga ana e komisionit vlerësues. Skema e mashtrimit do të tentohej të vihej në jetë me shumë kandidatë të regjistruar për konkurrim për pranim në Akademinë e Policisë.
Panorama