SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar kërkesën për gjykim ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, i cili hetohet për skandalin seksual në zyrën e tij.
Gjici ra në pranga për veprën penale korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë.
SPAK i ka komunikuar akuzën edhe Alma Kaçit, protagonistes në videon e publikuar pak muaj me parë, e cila akuzohet për korrupsion aktiv dhe ndodhet në arrest shtëpie.
Kodi Penal parashikon 3-7 vitet burg për korrupsionin aktiv të pushtetarëve dhe deri në 12 vite për korrupsionin pasiv.
Njoftimi:
Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:
2.Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
/f.s