Kryetari i Partisë demokratike i është përgjigjur Edi Ramës, pasi ky i fundit e ironizoi në konferencën për shtyp kur u pyet nëse Reformën Zgjedhore do e bëjë me Lulzim Bashën. Në një reagim në rrjete sociale, Basha shkruan se Rama tregoi sot se nuk do ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Basha thotë se Rama dëshmoi se kë do në opozitë, ndërsa Kuvendin e quan një fasadë të interesave të përbashkëta Rama-Berisha.
Kryedemokrati thotë se kryeministri doli sot të mbrojë korrupsionin, që sipas tij të njëjëtn gjë bërë edhe me rastin e Ilir Beqajt.
“Sot Edi Rama u shfaq sërisht për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij. Atë që ka bërë me Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Elvis Roshin e dhjetëra të tjerë, sot e bëri me Ilir Beqajn. Edi Rama sot u mundua të shantazhojë drejtësinë duke marrë në mbrojtje aferën korruptive të sterilizimit, siç ka bërë edhe me inceneratorët. Një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë presion drejtësisë.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, është tashmë e ditur se Rama është një nga njerëzit më të interesuar që të mos ketë ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, për të mbajtur fort në këmbë marrëveshjen e 2008-ës, që u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët që duan.
Edi Rama nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh se kë do në krye të opozitës, këtë e dëshmoi edhe sot. Por shqiptarët e kanë të qartë se teatri i Parlamentit është vetëm fasada e interesave të përbashkëta Rama-Berisha”, reagoi Basha./m.j