Nga Fehmi Abdiu*
Kushtetuta është ligji themelor i një shteti që mëshiron dhe shpreh parimet themelore të sistemit juridik. Ajo është dokumenti që përcakton normat themelore të organizimit të shtetit, strukturën dhe funksionet e organeve kryesore të shtetit, parimet bazë të procesit politik dhe marrdhëniet bazë të shtetasve me shtetin.
Rruga deri në hartimin e Kushtetutës së re Shqiptare është disi e dhimbshme dhe e vështirë. Ajo ka vazhduar rreth 8 vjet. Fillimisht shqiptarët u ndanë përfundimisht me Kushtetutën e sistemit që u la pas dhe Kuvendi i parë pluralist miratoi një paketë “Për dispozitat kryesore kushtetuese” që u shoqërua më vonë me shtesa e plotësime. Puna e bërë në vitin 1991 nga Komisioni për përgatitjen e projektit të kushtetutës nuk u quajt e frytshme nga Kuvendi që doli nga zgjedhjet e 22 Marsit 1992. U deshën edhe 3 vjet punë për përgatitjen e projektit të kushtetutës që iu nënshtrua referendumit popullor në Nëntor të vitit 1994, por ajo nuk fitoi.
Edhe 2 vjet të tjera punë ju deshën Kuvendit që doli nga zgjedhjet e Qershorit 1997 dhe komisionit përkatës për këtë qëllim, derisa në 28 Nëntor të vitit 1998 u miratua me referendum Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila në preambol të saj merr përsipër “vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor, për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirqënien, kulturën, solidaritetin shoqëror” etj.
Mbështetur mbi këto koncepte, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk është frymëzuar nga ndonjë filozofi politike. Ajo është mbështetur në këto koncepte bazë:
2. Pasqyron shtetin e së drejtës, rendin kushtetues, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pavarësinë e gjyqsorit dhe kufizimet e pushtetit shtetëror etj.
3. Parashtron qartë ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Të flasësh për supermacinë e Kushtetutës apo rëndësinë e saj, nuk mund të mos pranosh vendin dhe rolin e veçantë të saj, ashtu si të flasësh për vendin e veçantë që zë ajo, nuk mund të rrish pa folur për dy problemet e para.
Me gjithë këto, vendi e roli i saj mendoj se duhen parë në dy këndvështrime:
a) Në një këndvështrim, në raport me faktorët objektiv, Kushtetuta duhet konsideruar si rrjedhojë apo si pjellë e tyre. Pra, në raport me ato faktorë që e krijojnë, Kushtetuta nuk është mbi ato, sepse krijohet prej tyre.
b) Në një kontekst tjetër, në një këndvështrim lidhur me kuptimin juridik, në raport me çdo akt ligjor a nënligjor, ajo me të vërtetë qëndron mbi ta.
Këtu e ka burimin e vet ideja që ka gjetur pasqyrim në pikën 2 të nenit 4 të Kushtetutës sipas të cilës “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë“. Sipas përmbajtjes së përmendur në hierarkinë e ligjeve, më e larta, më e veçanta është Kushtetuta.
b) Kjo ide është pasqyruar edhe në pikën 3 të nenit 4 të Kushtetutës sipas të cilës “ Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”. Kjo ide dëshmon se Kushtetuta është mbi aktet e tjera.
Në këtë vështrim, në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës, sipas nenit 116 të Kushtetutës, vendin e parë e zë Kushtetuta e më pas vijnë marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, ligjet e aktet normative të Këshillit të Ministrave etj.
Duke qenë kështu, edhe miratimi e rishikimi i Kushtetutës është i ndryshëm nga ai i ligjeve të zakonshme. Dihet se Kushtetuta u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve e më pas iu nënshtrua referendumit mbarë popullor. Po kështu, sipas nenit 177 të saj nisma për rishikimin e saj mund të ndërmerret nga jo më pak se 1/5 e anëtarëve të Kuvendit e më pas, projekti miratohet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Veç këtyre, Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës etj.
e) Vendi dhe roli i veçantë i Kushtetutës në raport me ligjshmërinë në tërësi e me institucionet e saj duket në një aspekt tjetër.
Shoqëritë demokratike, për shkak të rëndësisë që ka Kushtetuta, kanë krijuar edhe institucione të veçanta që shërbejnë si garante për respektimin e saj, siç është Gjykata Kushtetuese.
Sipas nenit 124 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Pra, dhe në Shqipëri lindi e nevojshme të krijohej një hallkë e re e pushtetit të lartë, e cila të kontrollon nëse aktet e pushteteve të tilla si të legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit e ato të organeve të pushtetit vendor janë konformë Kushtetutës.
Ideja se Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dëshmon po aq dhe për rëndësinë që ka ky institucion që është ngarkuar me misionin e garantimit të Kushtetutës.
*Autori ka qenë Kryetari i Gjykatës së Kushtetutës së Shqipërisë