Dy të rinj përfunduan në prangat e policisë së Tiranës, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim, pasi akuzohen se tentuan të mashtronin një biznesmen. Sipas policisë, duke u hequr si përfaqësues të një personi publik, të arrestuarit u përpoqën që t’i merrnin biznesmenit në fjalë një shumë të madhe parash. Gjatë arrestimit policia sekuestroi po ashtu 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një shtetas, për të përfituar prej tij, një shumë të madhe parash.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve A. Gj., 19 vjeç, R. B., 25 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. L., 25 vjeç. Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), duke iu prezantuar atij si përfaqësues të një personi publik, për të përfituar shumën 50 000 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.
/a.r