Një muaj më parë, në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, gazetarët Eni Ferhati dhe Klodiana Lala ngritën dyshime, bazuar në informacionet e tyre konfidenciale, se në laboratorin e Policisë Shkencore ishte tentuar të vidhej një sasi kokaine nga grupet kriminale dhe të zëvendësohej me miell.
Por ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se kishte urdhër të bëheshin verifikime për këtë ngjarje dhe nuk ka rezultuar e vërtetë.
“Unë e kam ndjekur debatin në studion tuaj për këtë çështje dhe pas atij i kam kërkuar drejorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të verifikojë, janë bërë të gjitha verifikimet dhe ky lajm nuk është i vërtetë.
Nga infomacioni që kam marrë, të gjitha sasitë e drogës të kapur nga policia shqiptare mbahen në një vend të sigurt me kushte të sigurta por po ashtu e pranoj shqetësimin që ngre KE jo vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por në momentin në fjalë nuk kemi asnjë shqetësim.
Këta elementë kriminalë me njëri-tjetrin bëjnë shumë plane, por këtij objektivi nuk ja kanë arritur”, u shpreh ministri Balla.
/a.r