Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina reagoi të enjten ndaj deklaratave të kryetarit të grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në Elbasan.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Karabina u shpreh se Berisha vazhdon të vijë vërdallë me të njëjtin avaz, shpif e mashtro me shpresën se dikush do t’ia zgjidhë hallin e tij.
Sipas saj, Berisha ka dy vite që atë që thotë sot e përgënjeshtron nesër, dhe as nuk skuqet e as nuk zverdhet, në fund të fundit ai nuk ka më turp dhe sa më i madh halli i tij, më e pabesueshme gënjeshtra e tij.
“Halli i Sali Berishës sot është drejtësia, hall të cilit kërkon t’i fshihet me mashtrime. Sali Berisha bën mirë të mos fshihet e të mos vazhdojë t’i përdorë demokratët si mburojën e halleve të tij, por të dalë para drejtësisë e të provojë pafajësinë”, theksoi Karabina.
Sipas saj, në këto dy vite duhet ta kishte mësuar se as shpifjet, as mashtrimet, as paratë e krimit dhe korrupsionit me të cilat paguan tallavanë e tij nëpër Shqipëri, media e analistë, dhe as marrëveshjet e aleancat me Edi Ramën nuk ia zgjidhën hallin e non gratës me SHBA-në dhe Britanin e Madhe dhe, “nuk do të mund t”ia zgjidhin hallin me drejtësinë”.
“Sali Berisha dhe Edi Rama me marrëveshjet e tyre, përfshirë edhe ato të ditëve të fundit, nuk do ta mbajnë dot peng, as drejtësinë e as Shqipërinë. Koha, kur ditën bëjnë sikur zihen e natën mbyllin pazaret, ka marrë fund”, deklaroi Karabina për mediat.
/a.r