Nga Ylli Pata
Shpesh, edhe pse kanë kaluar mbi 33 vjet, është popullore një batutë e Ramiz Alisë, në takimin me studentët që kërkonin ndryshimin e sistemit në fillimin e dhjetorit 1990.
“Daleni, daleni djema se s’i dini të gjitha. Ai kapitalizmi që ju kërkoni ka edhe drogë, prostitucion e këshu gjërash”, tha presidenti i fundit komunist, e studentët natyrisht e morën me të tallur. Duke injoruar propagandën e keqpërdorur për dekada nga regjimi komunist për “dekadencën e Perëndimit”.
Por nuk zgjati shumë, e nga të parat “mysafire” e “Botës së re” që vizitoi Shqipërinë ishte droga dhe fenomeni i frikshëm i narkotrafikut.
Në mënyrë galopante, ajka e kryeqytetit, e cila po gëzonte lirinë e ardhur nga sistemi i ri politik u përfshi nga plaga e rëndë e varësisë nga droga më e frikshme që hyri si një pandemi akute në kryeqytet.
Djem e vajza nga familjet më të mira, të rëndësishme, të asaj që quhet elitë e Tiranës u kthyen në viktima fatkeqe të “Djallit të Bardhë”, që Zhuljana Jorganxhi shkroi për kompozitorin Gazmend Mullahi, kryeveprën e vetme të angazhimit social që erdhi në art me zërin e Eranda Libohovës. Fëmijë njerëzish të rëndësishëm; politikanësh, intelektualësh e artistësh, u bënë preja e një operacioni special që nisi në mënyrë agresive për të bërë paranë e madhe që ofronte sistemi i ri.
VIP-a pa fund, prezentatorë, këngëtarë, e mbi të gjitha balerina, balerina e misse pa fund, u kthyen në skenografinë e spektakleve cool të Tiranës së viteve ‘90, ku të gjitha këto zhvilloheshin në lokalet slik and stylish të krerëve të narkotrafikut të ri në vend. Të cilët u kthyen menjëherë në legjendat urbane, duke kapërcyer kutin e dikurshëm të matjeve të vlerave në shoqëri.
Këta tipa, siç ndodh gjithmonë me narkosit në të gjithë botën quhen “biznesmenë” e kthehen në filantropë e guru për shoqërinë e re. Por çuditërisht, ata nuk ishin shpresa apo pasqyra e një pjese të rëndësishëm të shoqërisë që ishte mjaft e varfër, por të “influencerave” të fundshekullit të XX. Të cilët nuk kishin rrjete sociale por kishin aq shumë peshë në opinion, sa ndikonin që rinia në masë të mërzitej nga predikimet pa fund të prindërve për “jetë të ndershme”, e duke rrudhur buzët ja kthenin: “I shikona ato, çfarë kanë më shumë se ne”. E në fakt kishin të drejtë, asgjë nuk kishin. Thjesht ishin mekanizma të një rrethi vicioz që kërkonte klientë.
“Brokerët” e këtij biznesi të frikshëm që u bë flamë për pak vjet në rininë e Tiranës ishin “bodyguardë”-njerëz të fortë që njiheshin si enturazhi muskuloz i pushtetit të ri. Narkotrafikantët që hapën bingo, skema piramidale apo diskoteka luksoze shoqëroheshin non stop me të fortët “truproja” që hynë dalëngadalë në pozicionet kyçe në Policinë e Shtetit.
Në atë kohë u ngrit edhe një repart që u bë i famshëm dhe legjendë urbane. Reparti 88, që ishte në fakt njësia e parë e antinarkotikëve në vend, u kthye realisht në njësinë e parë mbështetëse të narkotrafikut.
E ky fenomen u rrit e u rrit, sa në opinion flitej gjithnjë e më shumë si ndahen punët në polici. Në jug është hashashi, në Rinas kokaina, e që nga Qafthana deri në Durrës është heroina. Porti i Durrësit u kthye në një çiflig i bosëve të mëdhenj, që dalëngadalë nisën edhe të adresonin politikanët me peshë në vend, duke i fryrë si gjelat e detit. Të cilët nga pa shtëpi e katandi, nisën të bënin banesat e parë në bregdet, ku edhe kryheshin negociatat e mëdha.
Ky fenomen jo vetëm që nuk u zbut, por vit pas viti mori përmasë gjithnjë e më të mëdha, e papritur në krye të grupeve të trafikut u vendosën oficerë policie që drejtonin në Tiranë e rrethe. Jo vetëm që nuk i hynin asnjë gjëmb në këmbë, por shtypi nuk kursente lëvdatat për “komisarët e hekurt” që i kishin vënë dajak krimit.
U arrit deri aty sa njëri prej këtyre “komisarëve”, u bë edhe kryehetues i Republikës, e u desh DEA amerikane së bashku me prokurorinë Antimafia që të sillnin me kolipostë titullin si “drug dealer” nga përtej detit.
Shqipëria natyrisht nuk po përjetonte një fenomen që ishte i huaj edhe në vendet më të fuqishme të botës.
Richie Roberts, një dedektiv i zyrës së prokurorit të kontesë së Essex-it në Shtetin e New Yersey, në fillim të viteve 70 të shekullit të shkuar, kishte bërë disa aksione kryesisht si infiltruar në grupet kriminale. Një herë arriti të kapte 1 milionë dollar cash, të cilit i dorëzoi një me një në stacionin e policisë së Neëark-ut të New Yersey-t. Një pjesë e mirë kolegësh e panë me përbuzje e qësendi oficerin që po vendoste një standard të ri në radhët e forcave të rendit. Fjala u hap e Presidenti Nixon, i kërkoi që të hapte bërthamën e parë të një agjencie federale kundër narkotikëve. Në hetimin ndaj mbretit të heroinës në Neë York, Frank Lucas, dedektivi Roberts arriti të zbulojë se i gjithë seksioni antinarkotik i famëmadhes NYPD ishte përfshirë në trafikun e drogës. i cili nuk kaloi shumë dhe u shkri i gjithi.
Kjo nuk ka ndodhur vetëm në SHBA, por shumë nga vendet e Perëndimit. Në Itali, gjithmonë në polici ka pasur një sektor të madh që ishte në listpagesat e bosëve të Casa Nostra-s, siç ka pasur edhe heronj që e kanë paguar me jetë ndershmërinë e tyre. Por herë pas here, prokuroria, media, shoqëria, e më pak edhe politika bënte operacione pastrimi. Tek ne, kjo ka nisur pas 33 vjetësh.
Por ajo që bën përshtypje është se i gjithë establishmenti i “VIP”-ave, duke nisur nga politika, televizionet, “artistët”, influencerat, që të gjithë e dijnë se janë pjesë e rrjetit klientelist të zullumqarëve të mafies shqiptare, drejton e ideon fushata ndëshkimore kundër narkotrafikut. Duke folur pa fund, akuzuar e rrahur gjoksin natë për natë, a thua se njerëzit nuk dijnë nga vijnë miradinat luksoze të jetës së tyre.
Kështu u krijua në vite rrjeti i “kokainologëve” që bredhin studio më studio e flasin pa lidhje, fiks si çati në rrjetin SKY, ku narkotrafikantët, edhe pse janë mjaft inteligjentë, kanë mungesë thelbësore të njohurive të gjuhës shqipe. Edhe siç thuhet po nëpër studio ata flasin pesë gjuhë të huaja.
E siç ndodhi me “sherifin kryehetues” që na e zbuloi DEA me DIA-n italiane, edhe narkosit e rinj që zbarkuan në vendin e sambas për të blerë kokainë bolivjane që fjalët thonë se është “nga më e mira”, na i solli policia francize dhe EUROPOL-i.
Por është vetëm një episodi i vogël natyrisht, çka është zbuluar nga një segment që është arritur të kapet në komunikimet nëpërmjet aplikacioneve sekrete. E me ç’po shikohet DEA e EUROPOL do të sjellin herë pas here material nga magazinat e stërmbushura, që me gjasë do të sjellin një përmbysje të madhe të një bote të rreme që ende mbizotëron në vend. Po a do të arrihet dot tek kokat reale të narkotrafikut, ata që u thanë paratë “çunave” për të bërë kapërcimin e madh që të blejnë vetë kokainën në Amerikën Latine?