Analisti Frrok Çupi tha se ish-kryeministri Sali Berisha e ka ndërtuar sundimin në politikë në mënyrë vertikale, kurse pasurimi e ka vendosur në jetë në plan të sheshtë, duke i shpërndarë të mirat materiale tek persona të tjerë.
Ai theksoi se njëri prej personave është Ervis Martinaj, i cili sipas tij është përdorur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjatë intervistë në “Special Report”, Frrok Çupi theksoi se Berisha ka informacion në lidhje me vendndodhjen e Ervis Matinajt, një personazh shumë i njohur në botën e krimit, i cili është shpallur i zhdukur dhe kërkohet nga drejtësia shqiptare.
“Sali Berisha e ka ndërtuar politikën tij, e ka ndërtuar në mënyrë që politikisht ka sunduar vertikalisht, ndërsa në aspektin ekonomik ka sunduar në nivel horizontal. Të gjithë financat e tij, të cilat nuk janë të vogla, realisht janë të mëdha, e gjithë ajo është deleguar tek të tjerët që ta kontrollojë gjatë gjithë jetës. Ervis Martinaj, është njëri prej tyre. Është një njeri inteligjent.
Kam informacione, kam të dhëna, se ish-kryeministri e di se ku ndodhet Ervis Martinaj. Berisha ka kohë që po rrethohet, në kuptimi që nga periferia. Ju e patë se u burgos dhëndri i tij, që është një pikë periferike e familjes dhe sigurisht që gjërat po vijnë drejt Gërdecit ku është i biri dhe drejt 21 janarit ku është ai vetë.”, tha ai.
Ai komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila liroi nga burgu Jamarbër Malletzin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen hetimore për privatizimin e ish- kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas Çupit, gjyqtarja Ilirjana Olldashi me këtë vendim është rreshtuar hapur në anën e padrejtë dhe kjo është shumë e rëndë.
“Gjyqtarët kanë hyrë në një rrugë për të mbrojtur të padrejtën. Drejtësia në vendin tonë prej 30 vjetësh ka pasur një gropë të llahtarshme. Po bëhen 7 vjet, që Shqipëria bashkë me SHBA, po kërkojnë gjyqtarë dhe prokurorë për të gjetur dhe kjo gjyqtarja është brenda asaj radhës dhe ja çfarë po del tani. Kjo gjyqtare [Ilirjana Olldashi] është një vajzë, që ka marrë hapur anën e padrejtë. Këtu kemi të bëjmë me vrasjen e të drejtës dhe vrasjen e shpresës së njerëzve, të cilët po besojnë te drejtësia e re”, shtoi ai./m.j