Sekuestrimi i një sasie prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 5 janar 2021, e cila ishte nisur nga Ekuadori më 16 dhjetor 2020, ka shokuar anëtarët e grupit kriminal që e nisën, por edhe ata që mezi prisnin ngarkesën të shkonte në destinacion.
Në dosjen e SPAK që Report Tv disponon janë mesazhet e një dite pasi droga është nisur nga Amerika Latine dhe biseda bëhet mes një personi të paidentifikuar akoma që nisi mallin dhe Ismail Zenelit, me eksperiencë të gjatë në trafik droge. Dërguesi i paidentifikuar u thotë anëtarëve të grupit, mes të cilëve edhe Eralbi Breçani, se u ka nisur nga 10 copë secilit.
I paidentifikuar: Dje nisa një punë, është në ujë për Anvers. Keni nga 10 copë.
Ismail Zeneli: Mbarë ishalla!
Por, jo gjithçka shkoi sipas planit. Lënda narkotike në fakt mundi të kaloj oqeanin, por edhe portin në Hollandë. Kapja u bë në magazinat e kompanisë që kishte në pronësi kontejnerin, kjo një arsye që tmerroi jo pak dërguesin dhe pritësit e kokainës, të cilët menduan se ia dolën. Në këtë operacion, u arrestuan 2 shoferë holandez.
I paidentifikuar: Na u kap puna.
Besmir Murtati: Çfarë thua mor? Më dhe lajm të keq. Sa më ka mërzit.
I paidentifikuar: Më ka ik zari. Me të kap në kompani, gjithçka me jeshile.
Eralbi Breçani: Shnosh me qenë, na pastë marrë të këqijat.
Ismail Zeneli: Nuk besoj se e kanë hap ashtu, veç në rast se e kanë bërë me spiunim.
Disa javë para se droga të nisej nga Ekuadori, grupi kriminal diskutojnë gjithë kohës në chat-in e tyre në SkyECC, dhe nuk mungon padurimi për të pritur sasinë e kokainës. Shqiptari që është në Ekuador, i cili është i paidentifikuar, vonon nisjen e lëndës narkotike, edhe pse paratë i kishte marrë që më herët, dhe padurimi i Ismail Zenelit shfaqet disa herë. Megjithatë, edhe kur punët “piqen” siç duhet, sërish ngarkesa doli huq.
/f.s