Fëmija afgan, Murtaza Ahmadi, nuk do të takohet me idhullin e tij, Lionel Messi.
Pavarësisht se u raportua që fëmija 5 vjeçar, i cili u fotografua duke luajtur me fanellën e numrit 10 të krijuar me plastmas, do të takohet me Lionel Messin, kjo nuk do të ndodhë. Murtaza nuk do të udhëtojë drejt Barcelonës.
Lajmin e ka bërë të ditur Fondacioni i sulmuesit argjentinas, që kanë thënë se ka shumë kërkesa nga e mbar bota dhe se nuk mund t’i kënaqin të gjithë.
“Ne marrim mijëra kërkesa të tilla nga fëmijët në mbarë botën dhe e vërteta është se nuk mund t’i kënaqim të gjithë. Do të na pëlqente që të organizonim një takim edhe për vogëlushin afgan por nuk kemi mundësi”, shprehen burime të fondacionit, të cituara nga “Daily Mail”.
Stafi i Messit i ka dërguar një fanellë të vërtetë, por ëndrra e tij për ta takuar sulmuesin e Barcelonës, nuk do të realizohet edhe pse Federata Afgane deklaroi se një gjë e tillë do të ndodhte.
Tashmë gjitha mediat botërore raportojnë se Murtaza nuk do ta takojë Messin dhe padyshim që do të jetë e rëndë kjo për një vogëlush pesë vjeçar.
Vogëlushit Murtaza nuk i mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojë të ndjekë ëndrrën e tij për t’u bërë edhe ai një ditë një lojtar i madh.