Shqipi i sotëm i kushtohet një personazhi shumë të veçantë. Geront Kureta, një mësues hebre vlonjat që jeton mes Izraelit dhe Shqipërisë. Zoti Kureta erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga për të treguar historinë e jetës së tij, jetesën në Shqipëri gjatë komunizmit, ikjen nga vendi ynë për në Izrael dhe si ia doli ta krijojë jetën në një shtet të ri, por të dashur për ta.
Ndonëse iku në Izrael, kurrë nuk u nda prej Shqipërisë. Çdo vit vinte për vizitë dhe Vlora ishte vendi i tij i preferuar për të pushuar. Ai zgjodhi të investojë në Shqipëri, duke hapur një biznes të bukur si “Shtëpia e lodrave”.
“Në ikëm nga Shqipëria në prill të 1991-shit. Ikëm 3-4 familje që ishim në Tiranë. Kur ikëm nga Shqipëria, unë kisha vetëm 6 muaj që kisha filluar punën si mësues në Brataj të Vlorës. Pasi bëra universitetin nisa menjëherë punë në Vlorë. Kur vajtëm në Izrael nuk dinim asnjë llaf. Kjo e bëri eksperiencën e parë jo të realizuar 100%. U futëm ne shkolla dhe në kurse sa mësuam gjuhën dhe pastaj gjetëm punë secili në degën e vet.
Na mori pak kohë përshtatja me jetën ne Izrael. Ne ishim me shkollë, por nuk kishim mentalitet kapitalist. Shumë shpejt u kualifikuam si izraelitë. Të kualifikohesh si izraelit nuk do të thotë ta dish 100% hebraishten. Për fëmijët ishte më e lehtë. Gjuhën e mësuan shpejt, u futën në shkolla, u përshtatën më kollaj. Pastaj blemë shtëpi në Izrael, blemë makinë, filluam punë.
Një vit pasi mbërrita atje nisa të jap mësim si mësues matematike, një mënyrë që të përparoja dhe hebraishten. Kisha degë të lehtë ndaj dhe nuk më duhej fjalori 100%. U ingranuam në jetë, shoqërinë e kishim se bashkë shkuam në Izrael, krijuam dhe miq të rinj. Unë vija çdo vit në Shqipëri. Kisha pushime shumë. Kemi akoma familjarë në Shqipëri, kemi miqtë. Ne jemi shqiptarë. Unë jam vlonjat.
Çdo vit vij me shumë kënaqësi, sidomos për pushime në plazhin e Vlorës. Në vitin 2007 kisha një vit pushim nga puna. Me dy miq izraelitë, hapëm një biznes në Shqipëri. Ai biznes nuk eci sepse në 2008-ën ishte kriza e Evropës dhe ne duhet të prodhonim diçka këtu për ta çuar në Evropë dhe kjo nuk u bë. Por shumë shpejt unë nisa një biznes tjetër, atë që kam edhe sot “Shtëpia e lodrave”.”, u shpreh zoti Geront Kureta./m.j