Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Dibrës, pasi akuzohet për shitje droge. Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit ‘Tempulli’ pas hekurave ra Alfred Gjoka.
Ndërkohë, procedimi penal nisi për dy persona, Liman Daci dhe Klodian Muarti, të cilët u kapën me armë gjahu pa leje.
NJOFTIMI I POLICISE
DVP Dibër/Kontrolle të shtuara në të gjithë territorin e qarkut në zbatim të planeve operacionale “Tempulli”, dhe “Sundimi i Ligjit”. ✅Në Bulqizë në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike kokainë në doza dhe është vënë në pranga autori.
✅Në Dibër, si rezultat i kontrolleve në zbatim të planit operacional të koduar “Sundimi i Ligjit”, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë dhe personave në kërkim, gjatë mesnatës janë kapur e proceduar dy shtetas të cilët qarkullonin me armë gjahu pa leje.
Sekuestrohen dhjetra doza kokainë dhe dy armë gjahu.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme, strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, forcat e Posaçme Operacionale, forcat “Shqiponja”, dhe dy Komisariatet e Policisë Dibër dhe Bulqizë, mbështetur në inteligjencë informative, kanë vijuar kontrollet në zbatimit të detyrave të përcaktuara në planet e masave në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli”, dhe “Sundimi i Ligjit”.
Si rezultat, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, forcat e Posaçme Operacionale, forcat “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në orët e mbrëmjes në qytetin e Bulqizës, kanë ndaluar për kontroll shtetasin A.Gj., ku i’u gjetën të fshehura në trup, dhjetra doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i poseduesit të dozave të kokainës, shtetasi A.Gj., 33 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, i cili do ti shiste dozat me lënde narkotike kokainë, në qytetin e Bulqizës.
-Në Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër në bashkëpinim me strukturat Hetimore të DVP-së, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas (njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi), lëviznin me armë gjahu, kanë organizuar punën për kapjen dhe ndalimin e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar dy automjetet që lëviznin të dyshuarit shtetasit L.D., dhe K.M., dhe gjatë kontrollit në mjetet e tyre u gjetën dy armë gjuetie, që i posedonin pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit L.D., 36 vjeç, banues në Durrës dhe K.M., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Dy armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
/a.d