I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke bërë një përmbledhje të aktivitetit të tij si ndërmjetësues. Në një shkrim të publikuar në facebook, Lajçak shprehet se u ka bërë me dije palëve se duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjes duhet të shënojë përparim nga të 2 vendet.
“Në bisedat tona, unë theksova që implementimi i Marrëveshjes duhet të ketë progres nga të dy palët në përmbushjen e obligimeve të tyre respektive, hap pas hapi paralelsisht dhe bazuar në parimin që të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, shkruan Lajçak.
Mes të tjerave, ai ka treguar se në takimet që ka pasur me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë diskutuar një sërë çështjesh, si Statuti i Asociacionit, plani i zbatimit, energjia, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.
Lajçak shtoi se pret një vazhdim të shpejtë të negociatave duke treguar se ka plan që bisedimet t’i vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.
“Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një vazhdim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka paralajmëruar Lacjak.
/f.s