Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut njoftoi të martën se një dhomë e saj kishte gjetur unanimisht fajtor shtetin shqiptar për “shkelje të të drejtës së jetës” dhe “të hetimit“, parashikuar në nenin dy të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me vrasjen e protestuesit Aleks Nika.
Nga hetimet e mëparshme të Prokurorisë shqiptare për 21 janarin, shumë nga të cilat mbetën pezull, ka rezultuar se nga arma e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi janë qëlluar 11 fishekë ditën e demonstratës së 21 janarit.
Ndrea Prendi ka thënë nĕ deponimin e tij në gjyq se: “nuk kam qëlluar fare me armë zjarri, si dhe nuk u është dhënë urdhër as komandantëve të njësive mbështetëse, apo njësisë speciale për të qëlluar me armë në drejtim të protestuesve”.
Mirëpo këto pretendime hidhen poshtë jo vetëm nga audiot e publikuara më pas, por edhe nga aktet e ekspertimeve tekniko-balistike.
“Rreth orës 16:00-16:10, rezulton se nga ana e të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, është qëlluar në mënyrë të njëkohshme në drejtim të protestuesve, veprim ky i cili është pasuar edhe nga qitje të tjera” – thotë një raport i Prokurorisë.
Bëhet fjalë për një raport konfindencial të prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, botuar nga gazeta DITA, lidhur me hetimet e kryera ndaj armëve në përdorim nga Garda e Republikës që kanë bërë qitje ngjarjen e 21 janarit.
Raporti konfidencial i është dërguar ambasadës amerikanë në Tiranë dhe në këtë raport thuhet se ekspertët e laboratorit balisitik kishin zbuluar se vrasja e Aleks Nika dhe Faik Myrtaj është bërë nga arma e Ndrea Prendit dhe pistoletës i është ndërruar më pas tyta dhe gjilpëra për të fshehur gjurmët e krimit.
Filament Health Looks to Natural Sources of Psychedelics for a Number of Treatments
Keep Watching
“Nga moria e gëzhojave të gjuajtur, thekson raporti, 11 prej tyre rezulton se janë qitur nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës Ndrea Prendi”
Hetimi ka zbuluar se 11 gëzhojat janë nga plumba të tipit MKE 9mm MP-5, prodhuar nga kompania turke ‘Makina ve Kimya Endustrisi Kurumu’.
Këta plumba që njihen edhe si “plumba të artë” për shkak të cilësisë dhe çmimit të lartë kanë qenë municion ekskluziv që e ka pasur në disponim vetëm ish-Komandanti i Gardës, Prendi.
Prokurori pohon në raportin kobfidencial se për të fshehur autorësinë e vrasjes, tyta e pistoletës së Prendit është ndërruar me atë të pistoletës së shoferit të tij, por veçantia e plumbave e ka “tradhtuar”.
Në të vërtetë nga pistoleta e shoferit është shtirë një predhë e vetme, e cila është gjetur e futur në një pemë në krahun e majtë të Kryesisë së Kuvendit.
Ekspertët teknikobalistikë, thuhet në raportin konfidencial të prokurorisë për Ambasadën, kanë provuar gjithashtu se gjilpëra e pistoletës me numër ‘P52796Z’ të Ndrea Prendit, në momentin kur është bërë ekzaminimi balistik ka qenë e përpunuar mekanikisht (goditur).
Por pasi kanë provuar autorësinë e vrasjes dhe manipulimin e armës, hetuesit nuk kanë guxuar të firmosin nga klima e krijuar pas 21 janarit.
Ata kanë gjetur si mënyrë t’i drejtohen Ambasadës amerikane, duke kërkuar që ekspertimi të bëhej nga FBI-ja amerikane dhe të vinte i firmosur prej tyre.
Ambasada amerikane ka pranuar dhe ia ka kaluar FBI-së.
– Prendi gënjeu edhe në TV?
Në janar të vitit të kaluar ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi u shfaq në një intervistë të papritur televizive. Intervista u krye nga Blendi Fevziu, i përdorur edhe më parë për manipulimin e opinionit publik mbi 21 janarin.
Ai e pyeti ish-kreun e Gardës për “ndërrimin e tytës së pistoletës së tij të shërbimit pas ngjarjeve të 21 janarit”. Ish-zyrtari i lartë në përgjigje të “pyetjes” tha se për këtë gjë ishte akuzuar shoferi i tij, të cilit, madje “i ishte bërë presion nga prokuroria”.
“Për këtë është akuzuar shoferi im të cilit i është bërë presion nga Prokuroria që të deklarojë atë që nuk është e vërtetë, teksa ka deklaruar se kishte patur akses të plotë në armatimin e Gjeneralit.
Në momentin që Prokuroria ka marrë armatimin tim, ata e kanë marrë nëpër thasë dhe është mbajt mbi 5 muaj. Nga studimi balistik ka dalë që arma ime është në rregull. Prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë dhe shoferi është i lirë” – tha Prendi.
Dy ditë pas kësaj interviste, u publikuan për herë të parë, pjesë nga raporti konfidencial i dorëzuar nga prokurorët e frikësuar në Ambasadën amerikane në Tiranë.
– Familja e Aleksit: E dinim
Mark Nika xhaxhai i Aleks Nikës, konfirmoi më pas në një intervistë televizive, raportin e publikuar nga Dita lidhur me autorësinë e vrasësit të familjarit të tyre.
“Është arma e Ndrea Prendit që ka qëlluar Aleksin, plumbi që u gjet në kokën e tij ishte deformuar. E morëm vesh në rrugë private që është arma e Ndrea Prendit që qëlloi mbi Aleksin. Ato ndërruan tytat me shoferin për të fshehur gjurmët. Në dosje i kanë hequr dokumentet”, tha Mark Nika.
Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë në 21 janar dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi. I ndjeri është një nga 4 protestuesit e vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në 2011.
Për vrasjen e Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedën, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish kreun e gardës Ndrea Prendi me vetëm 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj, ndërsa për Nikën nuk ka ende asnjë autor. (Dita)