Një negociator i lartë, i cili ka qenë i përfshirë në bisedimet e fundit rreth lirimit të disa prej pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, i tha Associated Press se shpreson për një marrëveshje brenda një jave. Abbas Ibrahim, ish-shefi i inteligjencës së Libanit, tha se një marrëveshje mund të jetë afër nëse Izraeli lëviz.
“Mendoj se është e afërt nëse Izraeli tërhiqet nga disa kushte ose nga refuzimi i disa kushteve të kërkuara nga Hamasi, të cilat janë shumë logjike… Izraeli ende po i refuzon ato kushte. Kur të bien dakord me këto kushte, do të jetë e shpejtë marrëveshja.”, tha ai.
Pritet që sipas marrëveshjes që po diskutohet, disa nga 240 pengjet izraelitë të marrë në Gaza do të lirohen në këmbim të disa fëmijëve dhe grave palestineze të mbajtur aktualisht në burgjet e Izraelit.
Ibrahim tha se kushtet e Hamasit së paku përfshijnë lirinë e lëvizjes për njerëzit brenda Gazës nga jugu në veri ose nga veriu në jug.
“Kjo është një nga çështjet ku ka ende mosmarrëveshje. Por sipas mendimit tim, gjërat do të shkojnë drejt një fundi pozitiv. Do të ketë një shkëmbim dhe do të ketë një pauzë humanitare.”, tha ai.
Ibrahimi ka qenë i përfshirë në bisedime që nga fillimi i luftës gjashtë javë më parë, duke përfshirë evakuimin e civilëve dhe armëpushimet humanitare.
/a.r