Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi të mërkurën më 15 nëntor një kërkesë për përsëritje të pjesshme të rishqyrtimit të çështjes dhe marrjen e provave, të paraqitur nga ish-gjyqtarja e Durrësit, Mimoza Margjeka dhe bashkëshortit i saj, Arben Cara, profesor i drejtësisë në Universitetin e Durrësit, në funksion të procesit penal ku ata akuzohen se morën 6 mijë euro nga familjarët e një të pandehuri.
Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh. Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022, por për Margjekën, Demirin dhe Balin u pezullua dënimi dhe u caktuan në shërbim prove.
Në fillim të seancës së të mërkurës, kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Igerta Hysi shpalli vendimin e ndërmjetëm lidhur me kërkesën e Margjekës dhe Carës për rishqyrtimin e pjesshëm të çështjes dhe marjes së provave, konkretisht të pamjeve të regjistruara në kamerat e sigurisë së një objekti. Hysi u shpreh se kolegji penal ka vendosur të mos e pranojë këtë kërkesë, duke vlerësuar se vendimi përfundimtar mund të merret edhe mbi provat aktuale.
Një kërkesë për pamjaftueshmëri e papërdorshmëri të provave, gjykata vlerëson ta shtyrtojë në përfundim të procesit.
Mbrojtësi i të pandehurit Cara, avokati Aleksandër Ndrejaj vërejti se videoja është prova kryesore, që sipas tij vërteton se i përfaqësuari prej tij dhe e pandehura Margjeka nuk kanë lidhje me këtë situatë.
Ai kërkoi më shumë kohë për të parashtruar ankimin e ngritur, me argumentin se duhej ta përshtasin me vendimarrjen e ndërmjetme për mospranimin e kërkesës për rishqyrtim të pjesshëm e marrje të provave. Sipas avokatit, gjithë ankimi ishte për rishqyrtimin e pjesshëm dhe do t’i duhej që parashtrimet t’i punonte nga fillimi.
Gjykata vlerësoi të cakotojë edhe një avokate kryesisht për Carën, ndërkohë që për Margjekën ishte caktuar një tjetër më parë. Kryesuesja Hysi theksoi se nëse në seancën e ardhshme avokatët e zgjedhur nga të pandehurit nuk do të jenë gati për të paraqitur parashtrimet, atëherë do të procedohet me avokatët kryesisht. Seanca e radhës u shty për më datë 24 nëntor, në orën 10:30.
/a.d