Nga Artur Ajazi
Politika në Shqipëri, si askund tjetër, bëhet nën moton “të gjithë kundër të gjithëve”. Ose “vrapo nga vjen zëri kundër”. Mjafton të shohësh se si ndryshojnë qëndrim politikanë, deputetë, kryetarë partish, ish-ministra dhe qeveritarë, kur u cënohet interesi, kur u preken paratë, pronat, familja, por jo kur u preket partia. Kjo (pra partia) është e fundit që u ka interesuar dhe u intereson politikanëve në Shqiperi.
Mjafton të dëgjosh se si, një muaj shkojnë nga e djathta, një muaj nga e majta, një muaj tjeter nga qendra majtë, pastaj nga e djathta ekstreme. Por një gjë mbetet e qartë tanimë. Në Shqipëri nuk ekziston politikani idealist. Askush nuk e ka mëndjen ke ideali, tek flamuri, ke statuti, kryesia, apo mbledhjet e partisë. Mjafton ti “ecë drejt tymi i tij”. Mjafton të mos i preken paratë, pronat, mandati, familja, fisi dhe farefisi. Duket sikur në “betejat politike”, kërkojnë “ligj, drejtesi, barazi, demokraci”. Por jo, ata turren për të ruajtur postin, tarafin, hatërllëqet, lirinë e lëvizjes dhe shprehjes pa kufi.
Çdo politikan ka sot “taborrin” e tij, paguan mjaftueshëm sekserin, avokatin, llafollogun, dhe gjithçka që e mbron nga e keqja më e madhe, burgosja. Debatet, akuzat, shigjetimet, paditë, proceset penale, janë tema të ditës, ku “të gjithë janë kundër të gjithëve”. Asnjëherë nuk mund të llogaritësh se, “janë me ty, apo me atë”. Kjo për faktin sepse gjithçka, ka vajtur në kufirin e të qenit “i pacipë, mosmirënjohës, bukëshkalë”, derisa merr paranë. Mjafton të shikosh se si mbushen selitë sot me militantë, dhe nesër gjenden bosh fare, apo se si në studiot televizive, sot shikon dikë që “mbron me forcë” të djathtën, dhe nesër të mbyt për të majtën. Mes gjithë kësaj zallamahie, i vetmi që mbetet i “shushatur”, duke e gjetur me vështirësi rrugëdaljen, mbetet populli.
Ai që diskuton me zell stolave dhe kafeneve, mbi politikën, politikanët, fatin e tyre dhe harron problemet e veta. Shpesh populli, e merr të mirëqenë sherrin, përmbysjen e karrigeve, zjarrin dhe tymin, debatin dhe ultimatumet që vijnë nga frëngjitë e politikës.
Ky është paradoksi që po mban gjallë politikën destruktive për 32 vjet. Ky është problemi që nuk po konturon akoma siç duhet kahet politike, dhe nuk po i jep vendin e duhur çdo politikani, që ka ngritur “çiflikun” e tij edhe brënda selisë së partisë. Politika nuk mund të mbijetojë mbi fate dhe merita mercenarësh, abuzuesish, dhe “heronjsh tranzitorë”. Politika është “arti” i të bërit karrierë mbi meritokraci, jo duke tundur dy gishtat dhe librin e kujtimeve pambarimisht.