Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu thotë se kauza e opozitës nuk janë komisionet hetimore dhe se deputetët opozitarë kanë krijuar kaos në Kuvend.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Gogu u shpreh se nuk po përdorin pyetjet, interpelancat apo mocionet me debat në Kuvend, por kanë zgjedhur që të hedhin karrige e të krijojnë barrikada.
Gogu deklaroi se vëmendja e kryeministrit Edi Rama është buxheti i vitit 2024, dhe se kreu i qeverisë ka dalë në terren, në mënyrë që buxheti të kuptohet nga njerëzit, pasi në Kuvend ka debat të munguar.
“Përgatitja është shumë e qartë. Kryeministri, po ta dëgjoni me vëmendje të gjithë narrativën, është buxheti i shtetit. Në momentin që ne kemi një politikëbërje, kryeministri zbret në bazë. Në parlament nuk kemi çfarë diskutojmë, na hedhim karriget atje dhe bëhet barrikada, ndërkohë që mund të përdornin pyetje, mund të përdornin interpelanca, mocion me debat, komisione hetimore. Ju e shihni fare qartë, që nuk është kauza për komisionet hetimore, nuk duan komisione hetimore.
Deri tani, kërkuan tre komisionet e para, morën dy, debatuam për një, shkuan në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese na dha ne të drejtë për çështjen Bechetti. Inceneratorët e ngritën, çështjet zgjedhore i ngritët, e abortuan vetë në momentin që panë që më shumë po dilte që njësitë e mbrojtjes së votës kishin dëmtuar procesin zgjedhor.
Që të fillosh me komisionin hetimor, pse nuk fillon njëherë me pyetje? Rregullorja e Kuvendit thotë; pyetje deputetësh, kryeministrit. Pse nuk i përdorin pyetjet, interpelancat, mocionet për debat? Absolutisht, të gjitha do të trajtohen. PS, çfarë përgatit? Gjithmonë punën, duam që buxheti të kuptohet nga njerëzit, ka një debat të munguar në Kuvend, dhe kryeminsitri ka dalë duke thënë, ky është buxheti ynë./m.j