Në Panairin Ndërkombëtar të Mobilerisë “Shqipëria 2016”, që u çel të premten në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, 90% e prodhimeve që ekspozohen mbajnë markën “Made in Albania”.
Bizneset pjesëmarrëse të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare, sidomos nga Kosova, por edhe rajoni e bota, të afirmuara tashmë në fushën e përpunimit të drurit, prezantojnë risi dhe prodhime mobiliare të standardeve evropiane.
Ky eveniment synon t’u shërbejë zhvillimeve, progresit dhe inovacionit të mëtejshëm në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke mbledhur aktorët kryesorë që veprojnë në fushën e industrisë së përpunimit të drurit, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Gjermania, Italia, Suedia e Finlanda.
Industria e përpunimit të drurit në vend numëron 1900 biznese me rreth 80 mijë të punësuar. Prodhimet e kësaj industrie sot konkurojnë importin, ndërsa eksportet Made in Albania të mobilerisë po zgjerojnë gjeografinë e shtrirjes në shumë vende të botës.
Panairi do të qëndrojë i hapur nga data 11 mars deri më 14 mars 2016 në Pallatin e Kongreseve, si eventi që do të bashkojë kapacitetet dhe mundësitë për zhvillimin e këtij sektori, shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes aktorëve brenda dhe jashtë vendit.
Edicioni i 13 i Panairit të Mobilerisë “Shqipëria 2016”, organizohet nga Shoqata e Prodhuesve të Mobilerisë në Shqipëri ( SHPMSH ) në bashkëpunim me kompaninë Albexpo Group.
Në axhendën 3-ditore të Panairit janë planifikuar takime B2B, duke u dhënë mundësinë ekspertëve të fushës të ndajnë eksperiencën e tyre, të shkëmbejnë mendimet, diskutojnë zhvillimet e fundit dhe sfidat e këtij sektori.
Sipas statistikave në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin rreth 1900 biznese nga të cilat 40 % janë biznese të mëdha dhe 60 % biznese të vogla. Aktiviteti i tyre përfshin prodhimin e mobiljeve të banesave, hoteleve, restoranteve, zyrave, qendrave sportive e kulturore, komplekseve turistike, si dhe prodhimin e dyerve e dritareve.
Një drejtim pozitiv ka marrë prodhimi i banesave prej druri duke përdorur kryesisht lëndë të para importi. Njëkohësisht pozitive ka qenë futja e teknologjive dhe pajisjeve të reja në këtë sektor si rezultat i investimeve private të kryera./ATA