Analisti Frrok Çupi, gjatë intervistës për “NewsLine” me Viol Xhafaj theksoi se deputetët që i shkojnë nga pas Sali Berishës e dinë shumë mirë se nuk do të kenë mbështetje nga faktori ndërkombëtar. I pyetur nëse po krijohet një pol i tretë, Çupi u shpreh se nuk po reflektohen elementë të tillë.
“Problemi është, po ta shikosh më thellë, e gjithë masa e deputetëve dhe anëtarëve të PD, është një masë fluide. E vërteta është që me shumë vështirësi po ndahen nga Berisha dhe kjo nuk iu jep kredite politike njerëzve që janë zgjedhur në PD. Duhet të dimë një gjë që Berisha është një fenomen nga më të rëndët që mund të ketë, ka pasur dhe ka politika shqiptare dhe ajo në rajon. Është një nga rastet më flagrante ku SHBA-të dhe me vetë BE i kanë bërë thirrje deputetëve që të mos shkojnë pas tij, është ashtu siç është e shkuara, e zhytur nëpër akte të tmerrshme krimesh, korrupsioni, vrasjesh.
Një gjë më bën përshtypje dhe duhet konstatuar se ç’politikan qenkan këta që edhe sikur të ndjekin interesin e tyre, e dinë se nesër do të jenë pa asnjë mbështetje edhe nga aleatët e mëdhenj që ka Shqipëria. Sa për atë që këta nuk e njohin si kryetar, është pa kuptim. Edhe t’i shkosh pas, ta mbështesësh dhe të mos e njohësh për kryetar, kjo do të thotë ose do t’i bëjnë puç institucional ose do t’i marrin postin me dhunë.
Për të pasur pol të tretë duhet të kemi teori dhe teza të treta. Nuk e shikoj elementet e një poli të tretë, duhet të ishte krijuar por ajo zë vend nga pëlqimi në publik. Nëse një ide pëlqehet në publik fillon dhe bëhet udhërrëfuese. Këtu kemi me një grindje mes tyre, për të marrë një post, për të mbajtur një gjë dhe s’ka asnjë ide që mund t’i shërbejë publikut.“, u shpreh analisti.
Sa do të zgjasë kjo ‘betejë’ e deputetëve opozitarë?
“Do të vazhdojë deri në momentin kur Berisha do të jetë brenda në qeli, ose i arrestuar brenda familjes ku nuk do të ketë të drejtë më të ketë kontakte me gazetarët apo politikanët e tjerë. Këta janë të gjithë të gjithë prej tyre nuk përbëjnë dot asnjë copëz front politik.“, përfundoi analisti./m.j