Dy operacionet ‘Tempulli’ dhe ‘Sundimi i Ligjit’ për arrestimin e personave në kërkim për armë drogë, plagosje dhe vrasje është ende në vijim. Këtë e konfirmoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla pas 5 arrestimeve të kryera sot në kuadër të këtyre operacioneve.
Në Kavajë u arrestuan 4 persona që merreshin me shitjen e lëndëve narkotike pranë zonave të frekuentuara nga të rinjtë ndërsa në Tiranë u arrestua 44 vjeçari me 2 emra, K. (A). C. (Ç) i cili merte armë në Kosovë dhe i trafikonte për në Shqipëri për t’i shitur.
Policia e ka arrestuar në flagrancë në rrugën “Llazi Miho”, ku gjatë kontrollit në makinë iu gjetën dy armë zjarri pistoleta, njëra prej tyre me fishek në fole, gati për qitje, një silenciator, krëhra e municion luftarak.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i 44 vjeçarit që u kap me 2 pistoleta, u bë në vazhdimësi të operacionit “Sundimi i Ligjit” të nisur mëngjesin e së premtes (10 nëntor) dhe deri më tani janë arrestuar mbi 100 persona.
/a.d