Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka zhvilluar një kontroll në pikën e kontrollit teknik të automjeteve në qytetin e Beratit. Ministri Haxhinasto, pas inspektimit tha se ka nevojë të përmirësohet shërbimi ndaj qytetarëve nga kompania “SGS”.
“Nga inspektimi shikojmë se kompania ka nevojë të përmirësojë cilësinë e punës, ka nevojë të respektojë detyrimet për investime në funksion të ofrimit të një shërbimi më cilësor dhe me standarte për qytetarët. Kompania duhet të planifikojë që tani eliminimin e radhëve në fund të vitit”.
Ministri Haxhinasto tha se në rast se kompania nuk respekton detyrimet ligjore, mund të ketë rivlerësim të kontratës.
“Kjo kompani duhet të realizojë detyrimet e saj kontraktore ashtu siç shteti respekton detyrimet kontraktore ndaj konçesionarit. “SGS” duhet të respektojë detyrimet për investime dhe standarte më të larta shërbimi. Mos respektimi i detyrimeve të kontratës, do të jetë arsye për rivlerësim të saj”.
Ministri më tej tha se ka nevojë për një shërbim më cilësor në këtë pikë të kontrollit teknik por edhe në pika të tjera, ku duhet të jetë një shërbim që t’i rezistoj çdo lloj tentacioni për korrupsion, dhe të jetë më i sigurt vlerësimi i automjeteve. Haxhinasto, tha se duhet rigorozitet në kontrollin e mjeteve, pasi lëshimi në cilësinë e kontrollit të automjeteve do të thotë rrezik më i madh për qytetarët në rrugë.