Demotivim për emigrim?
Koopmans vetë megjithatë kujton se ende është e paqartë se çfarë do të ndodhë me refugjatët e refuzuar. Sipas marrëveshjes, ata do të riatdhesohen, por në praktikë kjo nuk është shumë e lehtë, sepse shumë vende të prejardhjes nuk kooperojnë dhe nuk i bëjnë gati dokumentet e nevojshme për riatdhesim. Eksperti i migracionit në Universitetin e Humboldtit në Berlin parashikon se kjo do të jetë sfida kryesore për Shqipërinë. Por Koopmans thotë se fakti që refugjatët do t’i presin dokumentat në Shqipëri dhe jo në Itali, do t’i demotivojë ata që të harxhojnë kaq shumë për kontrabandistët dhe të vënë jetën në rrezik e të kapërcejnë Mesdheun.
Por Koopmans është i vetmi nga ekspertët që mendon, se një kamp në Shqipëri do të ketë ndonjë efekt trembës ose demotivues për refugjatët. Në fakt, sipas marrëveshjes Italia duhet t’i marrë mprapsht pas një farë kohe edhe azilkërkuesit e refuzuar që nuk i riiatdheson dot, por ministri i brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i tha DW se nuk dihet se sa mund të zgjasin këto procedura.
Në një intervistë për “Die ZEIT” eksperti i migracionit, Gerald Knaus, jep dy skenarë për azilkërkuesit e refuzuar: “Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, së shpejti do të përballet me dy skenarë. “Ose do të mbajë azilkërkuesit e refuzuar, e për rrjedhojë kampet shumë shpejt do të mbushen. Ose, dhe kjo është më e mundshmja, refugjatët do të marrin rrugën drejt veriut, nëpërmjet Itinerarit të Ballkanit.” Edhe Pëllumb Nako, i cili ka shërbyer për shumë vite si drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shqipërisë, i tha DW, se Shqipëria është tepër afër BE-së, dhe vendeve veriore, për të trembur migrantët që të mos vijnë në Evropë. Ai i tha DW se marrëveshja nuk do të sjellë zgjidhje për refugjatët, por ajo ka vlerë politike, sepse tregon gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar Italinë për të kapërcyer këtë fazë të vështirë.
Rama bujar apo kalkulues?
Gazeta e përditshme gjermane “tageszeitung” dyshon në këtë narrativë të përhapur nga qeveria shqiptare, të cilën Rama e ka përmbledhur me fjalinë tashmë shumë të cituar: “Kur Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”. “Kjo bujari nuk i shkon Ramës, i cili është një politikan mendjemprehtë. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është hapur që nga viti 2022, por rruga është ende e gjatë dhe jo pa pengesa. Italia ka premtuar mbështetje 100% për Tiranën. Muajt e ardhshëm do ta tregojnë nëse është vetëm ky favor, me të cilin po e shpërblen Italia këtë bujari të Shqipërisë.”
Dhe tek e fundit, taz dyshon se kjo marrëveshje do të realizohet: “Italia është padyshim e përgatitur politikisht t’i injorojë të drejtat e atyre që kërkojnë mbrojtje. Por ligji i BE-së përcakton saktësisht se ku dhe si duhet të akomodohen azilkërkuesit. Nuk ka plane për t’i çuar në ndonjë shtet tjetër dhe për t’i mbajtur atje të mbyllur. Prandaj mbetet me pikëpyetje, nëse marrëveshja e Melonit do të arrrijë të kapërcejë Strasburgun”, përfundon “taz”./DW/