Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe mjekët e rinj që studiojnë për këtë degë, të cilët do të duhet të shërbejnë për një periudhë kohore në vend pasi të kenë marrë diplomën, nëse dëshirojnë që më pas të largohen drejt Gjermanisë.
Në një takim me Asamblenë e zgjeruar të PS në Durrës, kreu i qeverisë u shpreh se qytetarët shqiptarë nuk paguajnë taksa për sistemin shëndetësor gjerman. Në aspekt të kësaj, Kryeministri theksoi se tarifat e një studenti shqiptar që studion për mjekësi janë shumë të ulëta.
“Kostoja e studimit të Mjekësisë në Shqipëri është 1/16 e kostos reale dhe nuk ka asnjë krashasim me koston e studimeve në Gjermani. Një nga arsyet që sot në Gjermani ka një problem me mjekët është kostoja shumë e lartë e studimeve. Atëherë për çfarë arsye të gjithë ju, që duan edhe t’i bëjnë studimet thuajse me kosto 0, të marrin diplomë, për faktin që kostoja reale mbulohet nga taksat, duan të ikin në Gjermani direkt. Për kë punon populli shqiptar, për kë paguan taksa? Për sistemin shëndetësor gjerman?
Kjo është të vësh duart në kokë. Si mundet ne që të pranojmë ne këtu që të financojmë studime dhe duke qenë se Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri nuk është i kuotuar dhe mjekët shqiptarë janë të vlerësuar në Gjermani, ne të financojmë me një tarifë qesharake fare sistemin shëndetësor gjerman? Po pse? Ndërkohë që një shtet paguan universitetin, mbulon kostot, u jep mundësi studentëve që të studiojnë në degët që dëshirojnë në mënyrë që t’u përgjigjet qytetarëve të vetë kur kanë nevojë për kujdes”.
Për studentët e mjekësisë që dëshirojnë të largohen nga vendi pas studimeve, Rama tha se do të duhet që të paguajnë një tarifë.
“Nëse do të iki në Gjermani duhet të paguajë tarifën, që përsëri nuk është ajo e plota. Paguaje tarifën tjetër, merr diplomën, shko në Gjermani. Por nëse do marrësh diplomën me tarifën që ta paguajnë qytetarët, ke detyrimin që për një periudhë kohe ta bësh këtu, t’ja u kthesh këtu investimin që kanë bërë te ty. Nuk jemi në kohëra normale, jemi në kohë tjetër kur gjithë Europa është turrur për ‘mish njeriu’ se kudo ka nevojë për krah pune. Lufta më e madhe në vijim do jetë kush të kapi krahët e punës.
Në një sektor si ky, ne nuk mund të rrijmë të shikojmë se si kalojnë vitet në universitet studentët dhe pastaj ikin të nesërmen pasi kanë shfrytëzuar një lehtësim që ja u bën djersa e atyre që paguajnë taksa në arkën e shtetit shqiptar. Jo. Atyre, këta mjekë të rinj, duhet t’ju kthejnë investimin duke shërbyer në spitale për një periudhë kohe, dhe ta kenë për nder”, deklaroi Rama./m.j