Prej së mërkurës kur u mbajt Asambleja e Partisë Socialiste, opinioni publik u përfshi në një debat në pamje të parë patriotik dhe në thelb krejtësisht artificial. Ndoshta ka qenë një gjetje e Blushit për të justifikuar kritikat ndaj partisë së tij, ose një mënyrë për t’u bërë të ditur kundërshtarëve se beteja e tij nuk ka qëllim final kreun e PS, por përmirësimin e Shqipërisë.
Pavarësisht qëllimit të deputetit Blushi dhe marrëdhënies së tij me pjesën më të madhe të kolegëve që i ka kundër qëndrimeve të tij, kryetitulli i lajmeve u kthye zgjedhja e partisë në vend të atdheut apo e anasjellta. Fjalimet e disa eksponentëve të lartë të socialistëve, që e cilësonin partinë si një mjet për të kontribuar për vendin u kthyen në subjekte sulmesh dhe statuesesh në rrjetet sociale nga ata që zakonisht tronditen më së shumti në raste të tilla, atdhetarët e mëdhenj të Facebook-ut dhe anonimët e portaleve.
Fyerje e madhe u konsiderua në mllefin virtual ridalja e partisë në plan të parë, në një kohë kur shqiptarët nuk i kanë shëruar ende plagët e komunizimit. Dhe në pamje të parë duket sikur bën herezi të flasësh për partinë përpara atdheut. Gjumëprishurit nga deklaratat që renditeshin në krahun e parties, gjetën rastin të akuzonin për tradhëti kombëtare, për mungesë atdhe dashurie në këmbim të favoreve që të jep rreshtimi pranë një partie.
Më mirë se shqiptarët nuk besoj se ka ndonjë popull tjetër në Ballkan që t’ja dijë vlerën të qenurit me apo kundër partisë. Sikundër nuk ka popull me probleme kaq të mprehta shtetformimi për shkak të përdorimit të partive, për interesa individuale dhe aspak kombëtare. Rizgjimi i atdhedashurisë pas më shumë se dy dekadash dështime, është i shpjegueshëm, por jo i pranueshëm edhe për ata eksponentë që kanë qenë pjesë dhe kanë përgjegjësi për Shqipërinë e sotme duke qenë në rreshtat e drejtuesve të partisë dhe qeverisë së djeshme.
Si cdo gjë, rrugët për ta bërë Shqipërinë janë të shumta dhe instrumentat për ta shprehur dashurinë ndaj vendit edhe më të shumta. Partitë janë një nga elementët me të cilët formësohet fytyra e shtetit. Elita e sotme politike është përgjegjegjëse për këtë fytyrë të Shqipërisë që kemi sot. Këtë drejtësi të korruptuar. Këtë administratë të paaftë dhe të politizuar. Këtë nivel të lartë korrupsioni dhe kompromentimi. Këtë kulturë njerëzish me dy fytyra që ndryshe flasin pas shpine dhe ndryshe kur të kanë përballë.
Të deklarohesh i përvëluar për Shqipërinë kur e ndjen se nuk të do më partia apo kur duhet të bësh sikur nuk e do më atë në kushtet e refuzimit, është më së paku një lojë dinake për të devijuar vëmendjen. Eshtë gjithashtu pabesi ndaj atdheut, sepse sërish ai do të keqpërdoret me vetëdije nëpër fjalime me synime elektorale. Atdheu nuk mund të jetë gjithmonë varka e shpëtimit të të mbyturve që në kërkim të busullës për të dalë në sipërfaqe, janë të gatshëm të kapen pas çdo fije që i risjell në vëmendjen e publikut apo militantëve.