Prokuroria ka nisur procedimin penal për zjarrin që ka përfshirë pikëgrumbullimin e skrapit “Kurum” në Elbasan. Mësohet se janë kryer veprimet e para hetimore me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur.
“Pas marrjes së denoncimit nga Erion Murataj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka filluar hetimet kryesisht, duke regjistruar procedimin penal nr. 1309, datë 07.11.2023 për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” të parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal, pasi u mor dijeni në lidhje me ngjarjen e datës 06.11.2023 ku në një masiv me skrap të ndodhur në ambientet e brendshme të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, të administruara aktualisht nga shoqëria “Kurum” ka rënë një zjarr me përmasa të mëdha që ka shkaktuar ndotje të madhe në mjedisin e zonave përreth dhe më gjerë në Bashkinë Elbasan.
Për hetimin e këtij procedimi penal është ngarkuar një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, të cilët në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet e para hetimore në kuadër të procedimit penal të sipërcituar, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Elbasanit.
/f.s